I akuzuari mohon se theu dy vetura dhe se vodhi nga aty gjësende, thotë se më 2014 ishte në Gjermani

IM 5 (2)
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Tetor 8, 2019

Prishtinë – I akuzuari Jeton Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm për dy raste të vjedhjes së rëndë, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Jehona Grantolli, i akuzuari Krasniqi mohoi fajësinë për vjedhje të rëndë dhe shtoi se në vitin 2014, kur po akuzohet, ai ka qenë në Gjermani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në këtë kohë kam fakte që jam kon në Gjermani. Prej 25 janarit 2014, e deri në fund të 2014, s’jam kon këtu në Kosovë. Unë s’kam të bëj me këtë vepër. Këtë aktakuzë tërësisht nuk e pranoj, se nuk ka asnjë bazë ligjore me u ngritë. Unë kërkoj nga ti veç drejtësi”, tha i akuzuari Krasniqi.

Pas deklarimit të të akuzuarit, gjykatësi Alban Ajvazi, e ka njoftuar atë se brenda 20 ditësh  mund të paraqesë kundërshtime për provat dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Më pas, gjykatësi Ajvazi e ka obliguar prokuroren Grantolli që të akuzuarin Krasniqi ta pajisë me shkresa të lëndës, pasi një obligim i tillë nuk ishte përmbushur nga prokuroria.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton Krasniqit për shkak të veprës penale “vjedhja e rëndë”, nga neni 327 par.1 nën par.1,1 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, Jeton Krasniqi akuzohet se më 9 janar 2014, rreth orës 18:30, në parkingun e mobilierisë “Euro-Beni”, në Fushë Kosovë, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, ka thyer xhamin e një veture, ku nga aty ka marrë një çantë krahu me gjësende të ndryshme, si dokumente personale, telefon mobil, dhe pasaportë, me ç ‘rast të dëmtuarve u ka shkaktuar dëm material.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, më 17 prill 2014, rreth orës 18:30, afër lokalit “Malësorja”, në Fushë Kosovë, i akuzuari Krasniqi me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, ka thyer xhamin e një veture, ku nga aty ka marrë një çantë krahu me gjësende të ndryshme, me çka të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material. /BetimipërDrejtësi