I akuzuari mohon se narkotikët i kishte poseduar për qëllim të shitjes

Besnik Shotani foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Janar 8, 2020

Gjakovë – I akuzuari për posedim të narkotikëve me qëllim të shitjes, Besnik Shotani, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Shotani deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

E mbrojtësi i të akuzuarit, i angazhuar sipas detyrës zyrtare, avokati Masar Vula, deklaroi se aktakuza e Prokurorisë nuk është e përpiluar në tërësi sipas rrethanave, provave dhe fakteve të shkresave të lëndës, e sidomos sipas deklaratës së të akuzuarit dhënë në Prokurori, i cili sipas tij, ka deklaruar se substancën e ka pasur për përdorim personal, e jo për shitje.

Meqenëse, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Shaqir Zika ka caktuar 10 shkurtin për mbajtjen e seancës së shqyrtimit të dytë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Besnik Shotani po ngarkohet me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shotani më 17 tetor 2019, rreth orës 10:15, në shtëpinë e tij në Gjakovë pa autorizim ka poseduar substanca narkotike me qëllim të shitjes.

Në aktakuzë thuhet se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij dhe objekteve përcjellëse nga ana e patrullës së policisë, pikërisht në dhomën e gjumit të të pandehurit janë gjetur katër qese najloni të mbushura me substancë që dyshohet të jetë e llojit marihuanë, si dhe 14 qese të mbushura me substancë të dyshuar e llojit heroinë.

Sipas aktakuzës, pas ekzaminimit laboratorik të forenzikës ka rezultuar të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, me peshë prej 30.59 gramë, dhe substancë narkotike e llojit heroinë me peshë prej 3.12 gramë. /BetimipërDrejtësi