I akuzuari mohon se kreu vrasjen dhe se trupin e viktimës e hodhi në lum

16 dhjetor foto  2019
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Dhjetor 16, 2019

Pejë – I akuzuari për vrasje, Kamber Bulleshkaj, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, pas ballafaqimit me akuzat e Prokurorisë Themelore në Pejë se kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Arben Dekaj.

Ai akuzohet se në shtator të vitit 2018, e kishte privuar nga jeta me tetë predha, tani të ndjerin dhe pastaj nga ura trupin e tij e kishte gjuajtur në Lumin e Shushicës.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, Agron Galani dhe njoftimit me të drejtat për pranimin e fajësisë, i akuzuari Kamber Bulleshkaj deklaroi se nuk e ndien veten fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri e njoftoi të pandehurin dhe mbrojtësen e tij të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokaten Hamjete Miftari se kanë të drejtë të kundërshtojnë aktakuzën dhe provat e saj brenda afatit prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 tetor 2019, Kamber Bulleshkaj akuzohet se më 12 shtator 2018, rreth orës 20:25, deri më 21:15, në shtëpinë e tij në fshatin Istog i Poshtëm, pikërisht në sallonin e shtëpisë së tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit Arben Dekaj, me dashje e ka privuar nga jeta.

Sipas aktakuzës, Dekaj kishte shkuar me veturën e tipit “BMW 120”, në shtëpinë e të pandehurit, me qëllim që nga i njëjti të kërkonte një armë automatike-kallashnikov, e cila synohej të përdorej në një gazmend familjar dhe që me të të festonin në fejesën e kushëririt të tyre.

Në aktakuzë thuhet se pasi tani i ndjeri shkon në shtëpinë e të pandehurit, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, i pandehuri nga arma automatike e llojit të panjohur, shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur me tetë predha në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e plagëve vdes në vendin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës, më pas i akuzuari me veturën e tani të ndjerit, e merr trupin e tij e dërgon tek Lumi i Shushicës, ku e hedhë atë nga ura, e pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair”, e braktis veturën, derisa kufoma t gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes, nga neni 178 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi