I akuzuari mohon se keqpërdori ujin e pijshëm, prokuroria kërkon dënimin e tij

foto.
Author

Raporton: Egzon HALILI

Gusht 8, 2019

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Feriz Murati, akuzohet për veprën penale  “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Prokurori Musa Meha, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se me provat e paraqitura, dëshmitë e dëshmitarëve dhe faktet, është vërtetuar fajësia e të akuzuarit Murati.

Më pas, prokurori Meha i ka propozuar  gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Përfaqësuesi me autorizim i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Armend Maka, e ka mbështetur në tërësi fjalën përfundimtare të dhënë nga prokurori Meha.

Kurse, i Akuzuari Murati, në mbrojtjen e tij, deklaroi se ndihet tërësisht i pafajshëm, duke i propozuar gjykatës që të lirohet nga kjo akuzë.

“Sepse po të ndihesha fajtor do të angazhoja avokat”, tha i akuzuari Murati.

Po ashtu, në këtë seancë ka dhënë mbrojtjen e tij, i akuzuari Murati, i cili mohoi se ka keqpërdorur ujin e KUR “Prishtina”.

“Jam pagues i rregullt i ujit dhe këtë e dëshmoj përmes faturës, dhe ujin e ujësjellësit nuk e përdori për ujitje, por vetëm pak sa për pije, për shkak të mungesës së ujit, pasi që pjesa e poshtme e fshatit Llazarevë nuk ka ujë të pijes, e le më me ujit”, tha i akuzuari Murati.

Gjatë këtij gjykimi, janë dëgjuar edhe dëshmitarët Qamil Haziri, Hamit Shala, Ismet Krasniqi, punëtorë të ujësjellësit dhe përfaqësuesi me autorizim i palës së dëmtuar, Armend Maka.

Ky i fundit, deklaroi se i akuzuari Murati ishte kyçur në mënyrë ilegale në ujësjellës, jashtë njehsorit matës.

Ndërsa, dëshmitari Qamil Haziri në dëshminë e tij tha se në ditën kur e kanë bërë kontrollin te i akuzuari Murati kishim hasur në një kyçje ilegale jashtë njehsorit, e cila kyçje ka qenë e lidhur ne gypin e ujësjellësit të cilin më pas, sipas tij, e kanë bllombuar.

Deklarim të ngjashëm lidhur me rastin në fjalë kanë dhënë edhe dy dëshmitarët Shala dhe Krasniqi.

Gjatë seancës të së enjtes, palët dhanë edhe fjalët e tyre hyrëse, ku prokurori Mehaj, deklaroi se aktakuza e prokurorisë është mbështetur në prova bindëse me te cilat është vërtetuar gjendja faktike.

Ndërsa, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën e ngarkon prokuroria.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 9 gusht 2019, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 qershor 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se më 23 maj 2017, nga punëtorët e autorizuar të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, gjatë inspektimit të ujëmatësit, kanë konstatuar se i akuzuari Feriz Murati, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshme, është kyçur ilegalisht jashtë ujëmatësit me një gyp.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari gypin e ka shfrytëzuar për ujitjen e bahçes me ujë të pijshëm, duke e shfrytëzuar atë jashtë pikës matëse, me ç’rast të dëmtuarës Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, i ka shkaktuar dëm material.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi