I akuzuari mohon se është furnizuar jashtëligjshëm me energji elektrike

Kline
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Shtator 10, 2019

Klinë – I akuzuari për vjedhje të shërbimeve komunale, Brahim Deliaj, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Fillimisht, në këtë seancë, prokurori Astrit Gashi, ka bërë të ditur se ndaj të akuzuarit Deliaj, do të bëjë rikualifikimin e veprës penale, nga vjedhja e shërbimeve komunale, tani e ngarkon të akuzuarin me veprën penale të vjedhjes së shërbimeve, sipas Kodit të ri Penal.

“Rikualifikoj veprën penale nga neni 320, në nenin 314 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës mbetët e pa ndryshuar”, ka thënë prokurori Gashi.

Ndërsa, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Gashi, i akuzuari Brahim Deliaj, e ka mohuar fajësinë.

“Absolutisht nuk e ndiej veten fajtor, fotografitë e prezantuara nga ana e punëtorëve të KEDS-it, nuk janë bërë në shtëpinë time”, ka deklaruar i akuzuari.

Pas njoftimit nga ana e gjykatësit të rastit Jashar Gashi, se i akuzuari në afatin prej 30 ditësh ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, i akuzuari ka deklaruar se heqë dorë nga shqyrtimi i dytë, dhe ka kërkuar që të kalohet në shqyrtim gjyqësor.

Gjykatësi Gashi, me aktvendim e ka aprovuar kërkesën e të akuzuarit që të kalohet në shqyrtim gjyqësor, në të cilin do të ftohen përfaqësuesi i palës së dëmtuar të KEDS-it, si dhe dëshmitarët, punëtorët e kësaj kompanie, të cilët sipas tij, janë të cekur në aktakuzë.

Ndërsa, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 7 tetor 2019, në orën 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 korrik 2019 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Brahim Deliaj, akuzohet se më parë e deri më 2 nëntor 2017, në fshatin Rixhevë të Komunës së Klinës, në shtëpinë e tij, pas kontrollit nga personat e autorizuar të KEDS-it, është konstatuar se i pandehuri është hasur duke u furnizuar me energji elektrike, përmes kabllos dhe jashtë njehsorit elektrik.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari në këtë mënyrë i ka furnizuar pajisjet elektrike, me ç’rast të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm në shumën prej 64.41, euro. /BetimipërDrejtësi