I akuzuari mohon fajësinë se e kishte goditur me gurë të dëmtuarin

Peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shtator 11, 2019

Pejë – I akuzuari për lëndim të lehtë trupor, Xhemajl Kryeziu, është deklaruar i pafajshëm, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë.

Pasi që aktakuza është konsideruar e lexuar, i akuzuari Kryeziu e ka mohuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Shaqë Curri, e ka njoftuar atë që në afat prej 30 ditësh ka të drejtën të parashtrojë me shkrim kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Kurse, shqyrtimi i dytë është caktuar më 14 tetor 2019, në ora 10:30.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, Xhemajl Kryeziu akuzohet që me 27 qershor 2017, në rrugën lokale në fshatin Llabjan, Komuna e Pejës, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, Ramiz Crnovrashan.

Në aktakuzë thuhet që i akuzuari pasi që ishte takuar me të dëmtuarin, kishte dal nga makina, dhe pas fjalosjes, i merr disa gurë në tokë, dhe e godet atë në qafë, me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore. /BetimipërDrejtësi