I akuzuari mohon fajësinë për vjedhje rryme, thotë se ai është viktimë e KEDS-it

foto per web 13.11.2019
Author

Raporton: Albulena HUÇAJ

Nëntor 13, 2019

 

Dragash – I akuzuari Besim Ramadani, e ka mohuar fajësinë për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, i akuzuari Ramadani, ka thënë se ai nuk është fajtor, por një tjetër viktimë e vjedhjeve dhe manipulimeve që sipas tij, kompania KEDS-i ua bënë qytetarëve të Kosovës.

“KEDS është duke bërë keqpërdorime dhe më pas këto po mundohet t’ua vesh qytetarëve. Prej se ma kanë ndërruar njehsorin, gjithmonë paguaj 3-4 euro më pak. Unë do të bëjë gjithçka që ketë çështje ta çoj deri në fund dhe të shoh sa po zbatohet drejtësia në ketë vend”, ka thënë i akuzuari.

Në seancën e së mërkurës, janë dëgjuar edhe punëtorët e kompanisë KEDS, dëshmitarët Alaudin Qafleshi, Jupa Gallapeni  dhe Arlind Gërmizaj.

Në pyetjen e avokatit Arlind Rifaj, nëse ka vendosur ndonjëherë njehsor në shtëpinë e të pandehurit dhe se kush i ka vendosur bllombat, dëshmitari Qafleshi ka thënë se vendosjen e njehsorit e ka bërë shumë kohë më parë, para 12 vjetësh.

Ai ka thënë se njehsorët kanë ardhur nga Sllovenia, ndërsa sa i përket faktit se a kanë qenë të kontrolluar këta njehsor nga njësia e kalibrimit në Prishtinë, ai ka thënë se nuk e din.

Dëshmitari tjetër, Arlin Gërmizaj, ka deklaruar se ai në shtëpinë e të pandehurit ka qenë vetëm për ta marrë fuqinë harxhuese pajisjeve dhe se sipas tij, ketë ata e matin në bazë të rregullores së kompanisë.

Ndërkaq, dëshmitari i tretë, Jupa Gallapeni, ka thënë se ai ka qenë në shtëpinë e të akuzuarit për të bërë matjen e fuqisë së shpenzuar, por që nuk i kujtohen detajet.

Prokurori Besim Susuri, me qellim të vërtetimit të drejtë të gjendjes faktike, i ka propozuar gjykatës që për seancën e radhës të ftohet përfaqësuesi ligjor i KEDS-it dhe ka kërkuar nga gjykata që për seancën e radhës të ftohet përfaqësuesi i qendrës së kalibrimit, e gjithë kjo me qëllim të sqarimit të gjendjes.

Gjykatësja e çështjes Sabaheta Kurteshi, seancën e radhës për ketë rast e ka caktuar më 11 dhjetor 2019, në ora 10:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 maj 2017, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Besim Ramadani, akuzohet se më 2 dhjetor 2016, në orë të pavërtetuar, në fshatin Brrut, përmes rrjetit përçues të rrymës apo rrjetit shpërndarës, pa autorizim furnizohet me energji elektrike.

Në aktakuzë thuhet se në brendi të njësorit numëruesi është i manipuluar, ka gjurmë të gërvishtjes së numrave në numërator, ashtu që bën shfrytëzimin e pa autorizuar të energjisë elektrike, me ç’ rast KEDS-it, i shkakton dëme materiale me vlerë të energjisë së shpenzuar. /BetimipërDrejtësi