I akuzuari mohon fajësinë për vjedhje pylli, prokuroria kërkon dënimin e tij

Viti
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Korrik 11, 2019

Viti  – Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar që i akuzuari për vjedhje pylli të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë e ka bërë prokurorja Kujetsa Fazliu, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, në të cilën seancë i akuzuari ka dhënë mbrojtjen e tij, është dëgjuar roja i pyllit Sabri Miftari, në cilësi të dëshmitarit si dhe palët në procedurë kane dhënë fjalët e tyre përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Fazliu, në fjalën e saj përfundimtare, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues dhe se me provat e paraqitura, dëshmia e rojës së pyllit dhe faktet tjera, sipas saj, është vërtetuar fajësia e të akuzuarit Bajrami.

Mirëpo, lirim nga akuza ka kërkuar i akuzuari Bajrami, pasi që ai ka mohuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai ka thënë se nuk ka prerë dru, siç thuhet në aktin akuzuese, duke shtuar se është shënuar nga ana e rojës së pyllit vetëm sa për të deklaruar se e ka zënë dikë në pyll.

Në seancën e së enjtes, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar roja i pyllit, Sabri Miftari, cili ka deklaruar se në ditën kur po kryente kontrollin rutinor, ka hasur të akuzuarin duke  bartur dru me traktor.

“Më 25 prill 2017, rreth orës 10:30, në territorin e fshatit Letnicë, në vendin e quajtur “Vija e Mollës”, e kam takuar tani të akuzuarin duke dalë prej malit me traktor, Rakovicë, ngjyrë hiri, dhe për vija të traktorit kam shkua në vendin e ngjarjes dhe kishte prerë dru, i kam numëru cungjet ishin 11 copa  dru të ahut, me diameter 25-30 cm. Pastaj, kam shkuar të shtëpia e të akuzuarit ngase veç rruga e ndanë prej malit dhe i kam parë drutë e ngarkuara në traktor, mirëpo Esatin aty nuk e kam parë, vetëm se me traktor tu dal prej malit”, ka deklaruar Miftari

Lidhur me fletëparaqitjen e 14 gushtit të vitit 2017, dëshmitari Sabri Miftari deklaroi se e ka takuar në vendin e ngjarjes tani të akuzuarin duke prerë dru, i cili i kishte thënë se nuk ka zgjidhje tjetër, nga shkaku se i ka kushtet e vështira.

Ai shtoi se i kujtohet se ai në prezencën e tij e ka telefonuat një kushëri të tij, duke i thënë që të mos vijë në pyll, nga shkaku se roja pyllit është këtu, duke kontrolluar.

Gjykatësja Drane Simani, ka thënë se pas fjalëve përfundimtare të palëve në procedurë ky shqyrtim gjyqësor ka përfunduar dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 12 korrik 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti ka bërë bashkimin e dy lëndëve me qëllim të ekonomizimit të procedurës, meqenëse ka të bëjë me një të akuzuar, i cili ngarkohet për të njëjta vepra penale.

Sipas aktakuzës së parë, të ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 10 maj 2017, Esat Bajrami, po akuzohet se më 25 prill 2017, rreth orës 10:30 në fshatin Letnicë të Komunës së Vitisë, në vendin e quajtur “Vija e Mollës”, me qëllim vjedhje dhe shitje  i ka prerë 11 copa dru të llojit “Ah”, me diametër në cung 25 cm, në lartësi të drurit 16 cm, dhe vëllim të përgjithshëm prej 5,61 m3.

Sipas aktakuzës, me këtë rast Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK), në Viti, i ka shkaktuar dëm në vlerë në prej 757 euro.

Për këtë, sipas aktakuzës, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli” nga neni 358 parag.2 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës së 6 tetor 2017, Bajrami akuzohet se më 14 gusht 2017, rreth orës 13:30 në fshatin  Letnicë të Komunës së Vitisë, në vendin e quajtur “Popigllav”, i pandehuri me qëllim vjedhje ka prerë në mënyrë të palejueshme me sharrë motorike 13  copa trungje të llojit “Ah” me diametër 30-35 cm, në lartësi prej 19 cm, si dhe vëllim të përgjithshëm prej 5,04 m3.

Sipas aktakuzës, me këtë rast Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK), në Viti, i ka shkaktuar dëm në vlerë në prej 680 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli” nga neni 358 parag.2 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi