I akuzuari mohon fajësinë për uzurpimin e lokalit në Lipjan, prokuroria kërkon dënimin e tij

fotoja e gjykates vv
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Gusht 13, 2019

Lipjan – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që Hysni Bytyqi, të shpallet fajtor për veprën penale të uzurpimit të pronës, derisa i akuzuari ka mohuar fajësinë lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohet.

Një gjë të tillë, prokurorja e rastit, Arbëresha Shala dhe i akuzuari Bytyqi, e kanë deklaruar në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ku është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Bytyqi, po akuzohet se më 23 prill 2018, në Lipjan, në rrugën “Adem Jashari”, me dashje e në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, lokalin e tani të dëmtuarit, Fatmir Ibrahimi.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Shala, ka thënë se nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, përkatësisht me kontratën e shitjes dhe bartjen e pronës, shihet se i dëmtuari këtë pronë e ka blerë nga AKP-ja, e ku pagesa është bërë përmes xhirollogarisë bankare si dhe certifikatës pronësore, që i dëmtuari i ofroi gjykatës në shikim, sipas saj, të gjitha këto prova po përputhen me dispozitivin e aktakuzës.

Prokurorja Shala ka shtuar se një gjë e tillë është vërtetuar edhe nga deklarata e të dëmtuarit, ku sipas saj, ai ka thënë se këtë pronë e ka blerë nga AKP-ja dhe për këtë ka dëshmi, të cilat ia ka parashtruar Gjykatës, e që sipas prokurores, të njëjtat gjenden edhe në shkresat e lëndës.

Kurse, i dëmtuari Ibrahimi, ka thënë se përkrah fjalën përfundimtare të prokurores, duke shtuar se i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit, dhe kërkon nga gjykata që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet.

Ndërkaq, i akuzuari Hysni Bytyqi, ka thënë se e kundërshton aktakuzën dhe të gjitha provat në të.

Ai ka thënë se gjithashtu e kundërshton edhe deklaratën e të dëmtuarit, duke shtuar se nuk është fajtor për veprën për të cilën akuzohet.

Bytyqi ka deklaruar se lidhur me këtë pronë, lënda është edhe në Gjykatën Supreme, përkatësisht në Dhomën e Posaçme, e që derisa të kthehet ndonjë vendim nga kjo gjykatë, sipas tij, nuk mund të bisedojë me të dëmtuarin asgjë rreth kësaj çështje.

Gjykatësi i rastit, Avdirrahman Gashi, ka thënë se procedura në këtë çështje është përfunduar, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar më 16  gusht 2019, në ora 13:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 nëntor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj tani të akuzuarit Hysni Bytyqi, me arsyetimin se i njëjti e ka kryer veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332 par 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuar Bytyqi, më 23 prill 2018, në Lipjan, në rrugën “Adem Jashari”, me dashje e në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, përkatësisht lokalin e tani të dëmtuarit, Fatmir Ibrahimi.

Në aktakuzë thuhet se ai ka vepruar në atë mënyrë, që pasi që e ka kuptuar nga AKP-ja, se i dëmtuari e ka blerë lokalin, nuk e ka lejuar të njëjtin që të marrë në posedim lokalin në fjalë. /BetimipërDrejtësi