I akuzuari mohon fajësinë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, prokuroria kërkon dënimin e tij

se
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Prill 6, 2021

Viti – I akuzuari Selman Fejza, e ka mohuar fajësinë për shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, i akuzuari ka mohuar ta ketë hapur pusetën, të cilën deklaroi e ka blerë si të tillë dhe se të njëjtën e ka siguruar me rrethojë prej teli.

“Pusin të cilin e shfrytëzoj për t’i ujitur kulturat bujqësore, nuk e kam hapur unë, por e kam blerë tokën me gjithë pusin e hapur, por të  njëjtën pas udhëzimit nga ana e policisë e kam siguruar duke e rrethuar me tel”, ka deklaruar i akuzuari Fejza.

Ai ka shtuar se rrethoja i ishte hequr dhe vjedhur nga dikush, dhe se  përsëri e ka bërë rrethimin e të njëjtës.

I akuzuari Fejza, gjatë fjalës përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që ta liroj nga akuza, ngase nuk është fajtor.

Kurse, prokurorja Rozelida Manastiri, në fjalën e saj përfundimtare, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues dhe sipas saj, me provat e paraqitura, është vërtetuar se i njëjti është fajtor, e kjo konfirmohet edhe përmes fotove të bëra në vendin e ngjarjes, ku shihet qartë se momenti se kur është bërë verifikimi, pusi nuk ka qenë i rrethuar, dhe dëshmisë së dëshmitarit,  dhe se në bazë të këtyre siç ka thënë ajo, është vërtetuar fajësia e të akuzuarit Fejza.

Para se të jepej fjala përfundimtare, në këtë seancë është dëgjuar edhe zyrtari policor në cilësinë e dëshmitarit Emrush Jusufi.

Dëshmitari Jusufi ka deklaruar se puseta e të akuzuarit nuk ka qenë e rrethuar në kohën e  verifikimit.

“Ne kemi pasur një raport nga Prishtina që të gjitha ata që kanë puseta të hapur nëpër ara t’i njoftojmë për sigurimin e tyre për shkak të rrezikut të përgjithshëm, ku fillimisht i kemi identifiku dhe pastaj i kemi afat prej 7 ditësh pronarëve për sigurimin e tyre, në mesin e tyre ka qenë edhe i akuzuari Fejza, pas kalimit të afatit të dhënë kemi shkuar  për verifikim dhe te i akuzuari kemi parë se e njëjta nuk është e siguruar dhe pastaj kam bërë kallzim penal, të cilit ja kam bashkangjitur edhe fotot nga vendi i ngjarjes”, ka deklaruar dëshmitari Emrush Jusufi.

Gjykatësja Drane Simani, ka thënë se pas fjalëve përfundimtare të palëve në procedurë, ky shqyrtim gjyqësor ka përfunduar dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 8 prill 2021, nga ora 8:45.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 dhjetor 2016,  nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Selman Fejza, akuzohet se më 25 nëntor 20216, në kohë të papërcaktuar , në fshatin Mogillë, komuna e Kllokotit, Njësia e Sektorit të Stacionit Policor, në Kllokot, në bazë të projektit “Zgjedhja e Problemeve raste në puse–gropa me ujë”, në bashkëpunim me komsionin e drejtorisë për bujqësi, kanë identifikuar puset –gropat me ujë, të pa siguruara dhe pa rrethoja, ashtu që kanë identifikuar të pandehurin Selman Fejza, i cili në fshatin Mogillë, komuna e Kllokotit, me veprime të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që e ka hapur një pus me madhësi rreth 15 metra X 5 metra, me thellësi rreth 1.5 metra, të cilin e ka hapur me eskavator dhe që nga ajo kohë i ka shërbyer si rezervar i grumbullimit të ujit dhe i ka ujitur kultuarat bujqësore.

Me çka sipas aktakuzës ka kryer veprën penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi