I AKUZUARI KUNDËRSHTON AKUZAT PËR PUNIME NDËRTIMORE TË KUNDËRLIGJSHME
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit, Salajdin Fanaj, i cili akuzohet nga prokuroria se duke bërë punime me firmën e tij, nuk ka respektuar rregullat e sigurisë.
Prokurori i çështjes, Beqë Shala, ka lexuar aktakuzën, ndërsa i akuzuari është deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet me aktakuzë.
Gjyqtari, Luan Berisha, ka caktuar shqyrtimin e dytë për 13 maj 2016 dhe ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, Avni Berisha, se deri në shqyrtimin e dytë, kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të kërkojnë hudhjen e aktakuzës.
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, Salajdin Fanaj, të cilin e akuzon se gjatë punimeve me firmën e tij në rrugën “Nysret Sehersoj” si person përgjegjës, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale dhe kushtet e lejes së ndërtimit, duke rrezikuar të tjerët, në atë mënyrë që i dëmtuari Mehmet Vezgishti, duke kaluar rrugën, ka rënë në kanalet e hapura gjatë punimeve dhe me këtë rast ka pësuar lëndime të lehta trupore.