I akuzuari kërkon ta negocioi pranimin e fajësisë për shmangien e tatimit për mbi 80 mijë euro

Gjykata6 (1)
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Shkurt 12, 2020

Prishtinë – I akuzuari për shmangie nga tatimi, Mensur Sahiti ka kërkuar nga gjykata që të hyjë në negocim për arritjen e marrëveshjes për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Një gjë të tillë, e ka kërkuar mbrojtësi i të akuzuarit Sahiti, avokati Abit Asllani, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sahiti akuzohet se prej vitit 2010, e deri më 31 dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të subjektit ekonomik “Musa 3G”, me qëllim të shmangies së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar, ashtu siç kërkohet me dispozitat tatimore në fuqi, duke  e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 81,251.96 euro.

Para se të jepej fjala hyrëse nga palët në procedurë, avokati Asllani ka kërkuar nga gjykata që t’i jepet një afat ligjor me arsyetimin se me të mbrojturin e tij, janë pajtuar që të negociojnë marrëveshjen për pranim të fajësisë.

Me këtë kërkesë, është pajtuar prokurori Bashkim Zeqaj, i cili ka kërkuar nga gjykatat që propozimi i avokatit të aprovohet dhe gjykata të caktojë një afat ligjor prej 20 ditësh për arritje të marrëveshjes.

“Meqenëse, është propozimi i të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, të njëjtin gjykata ta aprovojë dhe të caktojë një afat ligjor jo më larg se 20 ditë, në mënyrë që brenda këtij afati të arrihet apo jo marrëveshja”, ka deklaruar prokurori Zeqaj.

Në rrethana të tilla, gjykatësi Hanefi Jashari e ka aprovuar kërkesën e avokatit Asllani, duke e obliguar atë që në prokurori të bëj kërkesën mbi negocim të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, brenda afatit 20 ditor.

Ndryshe, i akuzuari Sahiti, më 6 nëntor 2019, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 janar 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Mensur Sahiti akuzohet se gjatë periudhës kohore prej vitit 2010 e deri më 31 dhjetor 2016, në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës-drejtorit të përgjithshëm të subjektit ekonomik “Musa 3G”, me qëllim të shmangies së pagimit të tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar, ashtu siç kërkohet me dispozitat tatimore në fuqi.

Siç thuhet në aktin akuzues, i akuzuari ka ofruar të dhëna jo të sakta lidhur me veprimtarinë afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 81,251.96 euro, pa kalkuluar ndëshkimet dhe interesin, gjendje kjo e konstatuar nga Administratat Tatimore e Kosovës, nëpërmjet raportit të kontrollit të 30 janarit 2017.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 313, paragrafi 3 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi