I akuzuari kërkon avokat tjetër, shtyhet gjykimi për sulmin ndaj gjykatësit në Vushtrri

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Janar 21, 2020

Mitrovicë – I akuzuari për sulm, Shukri Shyti, nuk është pajtuar me avokatin që atij i është caktuar sipas detyrës zyrtare.

Seanca fillestare ndaj tij, është paraparë të mbahej të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku ai akuzohet se më 10 dhjetor 2019, në rrugën “Skënderbeu”, në Vushtrri, kishte sulmuar personin zyrtar, përkatësisht të dëmtuarin Rifat Bllata, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, në lidhje me detyrat e tij zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, i akuzuari Shyti, ka kërkuar për mbrojtës avokatin Rexhep Kaçaniku, i cili e kishte mbrojtur të pandehurin në fazat paraprake të procedurës, duke e kundërshtuar avokatin, Besim Parduzi, i cili i kishte caktuar sipas detyrës zyrtare.

Gjykatësi Gëzim Ademi, ka deklaruar se avokati Kaçaniku, përmes një parashtrese të dorëzuar me 14 janar 2020, i kishte kërkuar gjykatës që të shtyhet kjo seancë, pastaj përmes telefonit i kishte propozuar që të caktojë një avokat tjetër për të pandehurin.

Në këto rrethana, gjykatësi Ademi, ka deklaruar se ka revokuar autorizimin ndaj avokatit Kaçaniku dhe në konsultim me Odën e Avokatëve ka caktuar avokatin tjetër.

“Andaj gjyqtari meqenëse i pandehuri Shukri Shyti është në masën e sigurisë në paraburgim, të njëjtit sipas detyrës zyrtare pas konsultimit me OAK, i cakton avokat Besim Parduzi, nga Mitrovica, i cili tash e tutje do ta mbroj të akuzuarin në procedurën penale në vazhdim, gjersa të ekzistojnë kushtet ligjore”, ka thënë Ademi.

Por, këtë e ka kundërshtuar i pandehuri, duke deklaruar se ai nuk mund ta përfaqësojë atë, por që dëshiron avokatin Rexhep Kaçaniku.

Për këtë shkak, gjykimi është shtyrë për 4 shkurt 2020, në ora 09:00.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 3 janar 2020, akuzon të pandehurin Shukri Shyti, se me 10 dhjetor 2019, në rrugën “Skënderbeu”, në Vushtrri, kishte sulmuar personin zyrtar, të dëmtuarin Rifat Bllata, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, në lidhje me detyrat e tij zyrtare.

Sipas prokurorisë, i dëmtuari kishte nxjerr një urdhëresë në kuadër të detyrave zyrtare ndaj të pandehurit, me ç’rast ky i fundit i pakënaqur me ketë vendim, siç pretendon organi i akuzës, ditën kritike fillimisht e kishte goditur me shqelm në pjesën e gjurit në këmbën e djathtë, e më pastaj në zogun e këmbës së majtë, ndërsa me çadrën të cilën e mbante në duar e kishte goditur në ballë dhe hundë, si dhe me vezë në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës dhe të këmbëve.

Me këtë, sipas prokurorisë, ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 4, lidhur paragrafin 2 dhe 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi