I akuzuari kërkon avokat sipas detyrës zyrtare, shtyhet për të nëntën herë rigjykimi për mashtrim me viza pune

Author

Raporton: Floridin Osmanaj

Shtator 10, 2021

Prizren – I akuzuari për mashtrim me viza pune, Flamur Hoxha ka kërkuar që t’i angazhohet një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Një kërkesë të tillë Hoxha e ka bërë me arsyetimin se e ka të pamundur financiarisht të angazhojë një avokat privat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo kërkesë nuk u kundërshtua nga prokurori Afrim Sheiku, e më pas u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani.

Gjykatësi deklaroi se aprovohet kërkesa e të akuzuarit Flamur Hoxha për caktimin e një mbrojtësi sipas detyrës zyrtare, për shkaqe të kompleksitetit të çështjes penale dhe lartësisë së dëmit.

Pas kësaj, shqyrtimi i sotëm është ndërprerë dhe i njëjti do të vazhdojë më 5 tetor 2021.

Ndryshe, prezent në seancë ishte edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Besim Rexhaj.

Me aktgjykim e shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, më 9 janar 2020, ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani, ndërsa i akuzuari tjetër, Besim Rexhaj, ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarit Flamur Hoxha ishte shpallur edhe aktgjykim plotësues, konfiskimi i pasurisë, konkretisht një shtëpi, një veturë “BMW X5” si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj i është konfiskuar një banesë me garazh si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Po ashtu, për këtë rast ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht Veprim Rexhepi, i cili akuzohej se me anë të falsifikimit ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë rast, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vetëm ndaj Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt, të cilët kishin parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde i kanë transferuar tek persona tjerë.

Me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1 milion e 220 mijë e 175 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1 milion e 68 mijë e 775 euro.

Për këtë, ata po akuzohen se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308, i Kodit Penal, si dhe neni 32 paragrafi 2. nën paragrafi 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të “mashtrimit”, nga neni 335, dhe atë të “falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399, si dhe “shmangie nga tatimi” nga neni 313 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë