I akuzuari jashtë vendit, shtyhet gjykimi për legalizim të përmbajtjes së rreme e falsikim dokumentesh

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Për shkak se i akuzuari R.T gjendet jashtë vendit, ka dështuar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të mbahet gjykimi për legalizim të përmbajtjes së rreme dhe falsifikim të dokumenteve.

Gjyqtarja e rastit, Dragana Nikoliq, konstatoi se i akuzuari banon në Francë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, i pranishëm në seancë ishte prokurori Bogdan Spadijer.

Në këto rrethana, gjyqtarja Nikoliq seancën e shtyu për kohë të pacaktuar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 17 janar 2017 ka ngritur aktakuzë kundër R.T, me arsyetimin se më 23 prill 2014 me rastin e regjistrimit në librat amë të të lindurve në zyrën e Gjendjes Civile në Mitrovicë, ka prezantuar dokument të falsifikuar, certifikatën e lindjes së vajzës së tij M.D, kinse i lëshuar nga qendra e regjistrimit Pontierier, Francë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i ka falsifikuar të dhënat e nënës së vajzës së tij, Xh.I, ashtu që pjesa e evidentimit të të dhënave të nënës Xh.I e lindur në Mitrovicë, janë ndërruar me të dhënat e personit G.B, e lindur në Caltanisseta-Itali.

I akuzuari ka prezantuar certifikatën e falsifikuar duke qenë në dijeni të plotë lidhur me përmbajtjen e saj e ku personin zyrtar – ofiqarin e ka vënë në lajthim, pasi i njëjti lëshon certifikatën mjekësore për lindje dhe njëherit fëmiun M.D e regjistron në regjistrin e lindjeve.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtës së rreme” nga neni 403, par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës, i akuzuari, pasi që më parë ka falsifikuar certifikatën e lindjes kinse e njëjta është lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Pontarlier – Francë, në të njëjtën ka ndërhyrë ku ka ndërruar të dhënat e nënës Xh.I, me të dhënat e personit G.B e lindur në Caltanisseta – Itali, dhe të njejtën e ka përdorur duke e prezentuar në rastin e aplikimit për të regjistruar vajzën e tij në librat amë të të lindurve. Më pas është verifikuar që kjo certifikatë është e falsifikuar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398, par.2 lidhur me 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë