I akuzuari jashtë shtetit, shtyhet gjykimi për vjedhje pylli

ll1
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Maj 14, 2019

Viti – Për shkak të mungesës së të akuzuarit për vjedhje të pyllit, Dërgut Islami, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj tij, e paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.

Gjykatësi Skender Shefkiu, deklaroi se ndaj të akuzuarit Islami, ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, por që e njëjta nuk ka mundur të realizohet, ngase sipas njoftimit të Stacioni Policor në Viti, i akuzuari gjendet jashtë vendit.

Nga shkaku se nuk kishte kushte për mbajtjen e saj, gjykatësi Shefkiu, këtë seancë me aktvendim e ka shtyrë për kohë të pacaktuar, ku ndaj të akuzuarit Islami, do të lëshohet urdhërarrest, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij.

Ndryshe, në seancë ka qenë i pranishëm prokurori Esat Ademi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur me 6 dhjetor 2013, Dërgut Islami, po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 paragrafi 2, të KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet se me 15 shtator 2013, rreth orës 15:00, i pandehuri në pyllin e pronës shtetërore, në territorin e fshatit Lubishtë, Komuna e Vitisë, në vendin e quajtur “Stanet e Lubishtës”, me  qëllim vjedhje ka prerë me sharrë motorike 70 trungje të llojit ahë, me diametër 10-15 cm, në lartësi të drurit 13m, me vëllim të përgjithshëm prej 5.60, i cili nga vendi i cekur i transportonte me traktorin e tij të markës “Rakovica”, pa dokument përcjellës mbi transportimin dhe prejardhjen e tyre.

Sipas aktakuzës me këtë i akuzuari Islami, të dëmtuarës APK-Zyra në Viti, i ka shkaktuar dëm të përgjithshëm në vlerën prej 756.00 euro. /Betimipërdrejtësi