I akuzuari jashtë shtetit, dështon të nisë gjykimi për vjedhje e sulm ndaj policit

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Të premten në Gjykatën Themelore në mungesë së të akuzuarit Y.H ka dështuar të nisë gjykimi në rastin ku ai po akuzohet për dy vepra penale “vjedhja” dhe “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”

Y.H po akuzohet se më 2017 në lokalin “LC Waikiki” në Prishtinë, në varësi të drogës kishte arritur të marr një xhemper e dy jakne por që i njëjti ishte kapur në flagrancë nga sigurimi. E pastaj në stacionin policor e kishte sulmuar fizikisht policin L.A dhe e kishte kanosur me fjalët “ka me të vra, pa ju vra nuk e la”.

Për mungesën e të akuzuarit Y.H, gjykatësi i rastit Ngadhnjim Arrni, deklaroi se nga fletëkthesa e kthyer në gjykatë rezulton se pala gjendet jashtë shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, për sigurimin e prezencës së të akuzuarit në procedurë , gjykatësi Arrni deklaroi se gjykata do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale konform dispozitave ligjore.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, seanca e radhës është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, i pranishëm në këtë seancë ishte vetëm prokurori Eset Rama.

Prokuroria Themelore në Prishtinë me aktakuzën e ngritur më 13 nëntor 2019, të pandehurin Y.H e ngarkon me dy vepra penale atë të vjedhjes dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Sipas aktakuzës, më 9 dhjetor 2017 në Prishtinë, saktësisht në lokalin “LC Waikiki”, i pandehuri në gjendje të varësisë nga droga me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm së pasurisë së huaj për vete kishte hyr në lokalin në fjalë dhe kishte arritur të marr një xhemper si dhe dy jakne, në vlerë të përgjithshme prej rreth 70 euro, me c’rast përderisa sa kishte dashur të largohej nga lokali ishte kapur në flagrancë nga punëtorët e sigurisë.

Me këtë, Y.H akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja” nga neni 325 paragrafi 1 tq Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze thuhet se me datë të njëjtë të përshkruar si më lartë e në gjendje të varësisë pasi që i pandehuri ishte shoqëruar në stacionin policor Qendra në Prishtinë, e kishte sulmuar fizikisht zyrtarin policor të dëmtuarin L.A.

Aktakuza thotë, se të njëjtin e kishte goditur me këmbë në këmbën e tij të djathtë si dhe e kishte kanosur me fjalët “ka me të vra, pa ju vra se la”, ashtu që i dëmtuari si rrjedhojë e goditjeve nga i pandehuri kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

E me këto veprime, Y.H po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. . /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë