I AKUZUARI IDRIZ KELMENDI MOHON PAZARLLËQET NË RASTIN E PROKURORES VAHIDE BADIVUKU

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj Vahide Badivukut, Isak Smakollit dhe Idriz Kelmendi, të cilët akuzohen për veprat penale “marrje e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrim i ndikimit”. Në këtë seancë ka dhënë mbrojtjen e vet i akuzuari Idriz Kelmendi, i cili është përgjigjur në shumë pyetje të avokatit të tij mbrojtës, Besnik Berisha dhe prokurorit special, Admir Shala.

Në pyetjen e avoktit mbrojtës Besnik Berisha, nëse është interesuar apo ka biseduar me ndokënd për lirimin e ndonjë anëtari të familjes Hasani, i akuzuari Idriz Kelmendi tha se asnjëherë nuk ishte interesuar apo ndihmuar në lirimin e ndonjë anëtari të familjes Hasani nga burgu. I pyetur nëse kishte diskutuar me të akuzuarin tjetër Isak Smakolli lidhur me çështjen e familjes Hasani, i akuzuari tha se të akuzuarin Smakolli e njeh vetëm si figurë dhe se asnjëherë nuk ka diskutuar me atë për çështjen e familjes Hasani. “Nuk është e vërtet të kem diskutuar me Isak Smakollin dhe i’u kam ofruar për lirim nga paraburgimi të familjarëve të familjes Hasani, në shkëmbim të shumës prej 10.000,00 euro”, tha i akuzuari Kelmendi. Në pyetjen e avokatit, për njohurinë e tij me të akuzuarën tjetër Vahide Badivuku, i akuzuari Kelmendi tha se Badivukun e njihte përmes motrës së tij, ndërsa asnjëherë nuk kishte biseduar për lëndët që e njëjta i kishte në punë. Tutje i akuzuari tha se asnjëherë nuk i kishte kërkuar, por as nuk i kishte huazuar para Vahide Badivukut, ashtu siç ka deklaruar ajo gjatë kontrollit në pikën kufitare në Merdare.

Në pyetjen e prokurorit special, Admir Shala, se për sa kohë njihet me të akuzuarën Vahide Badivuku, i akuzuari tha se njhet qe shtatë vite përmes motrës së tij, por edhe si mysafire në hotel, ku shpesh herë kishte ardhur me bashkëshortin e saj. Në një pyetje tjetër të prokurorit, në lidhje me disa telefonata nga numri i tij në numrin e të akuzuarës Vahide Badivuku, i akuzuari tha se telefonat e tij i përdorin të gjithë personeli i hotelit, përfshirë edhe motrën e tij dhe se ato thirrje ka mundur t’i bëjë ajo. Prokurori Shala e ka ballafaquar të akuzuarin me transkripte të telefonatave, ku vet i akuzuari kishte biseduar me të akuzuarën Badivuku. Në lidhje me këto dëshmi, i akuzuari tha se ka pasur raste kur e ka telefonuar edhe ky vet, por jo të gjitha ato telefonatë i kishte bërë ai.

Seanca e ardhshme e shqyrtimit gjyqësor, ku palët do të japin fjalën përfundimtare, do të vazhdojë më 31 mars 2016.

Ky proces gjyqësor zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori special, Admir Shala, ku Vahide Badivuku akuzohet se ka kryer veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, e cila në mënyrë të tërthortë kishte kërkuar dhe pranuar dhuratë për vete, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën zyrtare, në bashkëpunim me të akuzuarin Idriz Kelmendi, duke vepruar si prokurore në rastin penal kundër të pandehurve Esan, Hasan, Arton dhe Dritan Hasani, në shkëmbim të lirimit nga masa e paraburgimit të të pandehurve Esan dhe Dritan Hasani, kishte kërkuar dhe kishte marr nga familja Hasani shumën e të hollave prej 10.000 eurove, përmes të akuzuarit Idriz Kelmendi.

E akuzuara Badivuku gjithashtu akuzohet se në kundërshtim me Kodin  e Procedurës Penale kishte përpiluar kërkesën për kthimin e sendeve të sekuestruara , në shumën prej 22.000 euro, e cila shumë kishte kaluar në duart e Isak Smakollit dhe më pas tek i pandehuri Idriz Kelmendi, ku ky i fundit ia kishte dorëzuar të pandehurës Vahide Badivuku.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë