I akuzuari gjendet në Gjermani, pezullohet procedura penale ndaj tij për falsifikim të rezultateve të votimit

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, e ka pezulluar procedurën penale ndaj të akuzuarit Xhemil Avdullahu, i cili ngarkohet për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017 në një vendvotim në Rahovec.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Drilon Haraçia, tha se Stacioni Policor në Rahovec duke vepruar sipas një urdhërese të kësaj gjykate, kanë njoftuar se i akuzuari gjendet në Gjermani.

Në këto rrethana, procedura penale ndaj të akuzuarit është pezulluar në kohë të pacaktuar derisa të sigurohet prezenca e të njëjtit. Ndaj të akuzuarit, gjykatësi Haraçia tha se do të lëshohet urdhërarrest.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Xhemil Avdullahu, më 22 tetor 2017, në shkollën “Bekim Sylka” në Rahovec, pas mbylljes së vendvotimeve duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij lidhur me zgjedhjet ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike derisa ishte në pozitën e kryesuesit të komisionit zgjedhor në zgjedhjet lokale në vendvotimin e lartcekur, në kundërshtim me ligjin ka regjistruar në mënyrë jo të saktë brenda një subjekti politik ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë tjerë, duke regjistruar në mënyrë jo të saktë 134 vota, prej tyre 67 vota të shtuara dhe 67 vota të hequra, me çka me gjithsej 134 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike.

Me këto veprime ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 219 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë