I akuzuari e pranon fajësinë, thotë se armën e kishte mbajtur vetëm për shkaqe sigurie

Foto 11.09.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Shtator 11, 2019

Malishevë – I akuzuari për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Kushtrim Thaqi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Pasi që me kërkesën e të akuzuarit aktakuza është konsideruar e lexuar, i njëjti ka deklaruar se e ndien veten fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Thaqi ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, me arsyetimin se veprën e ka kryer për herë të parë, dhe armën e ka mbajtur për shkaqe sigurie, pasi që në shtëpinë e tij, kishte ndodhur një plaçkitje disa muaj më herët.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Bjaram Kryeziu, sipas të cilit një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 16 shtator 2019, në ora 11:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2017, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Kushtrim Thaqi akuzohet se më 10 maj 2016, në shtëpinë e tij, në fshatin Shkarashnik, Komuna e Malishevës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një armë, të llojit “Votran Tuna”, e kalibrit 6mm, me një karikator dhe një fishek.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike, i akuzuari Thaqi, për shkaqe sigurie kishte futur armën në xhepin e djathtë të xhaketës dhe gjersa gjendej i vetëm në kuzhinë, arma pa pritur i kishte shkrepur në xhep, duke i shkaktuar lëndime vetes deri në alivanosje, dhe më pas dërgohet nga familjarët për tretman mjekësor në QKUK në Prishtinë, dhe arma sekuestrohet nga zyrtarët policorë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi