Ferizaj – I pandehuri Përparim Bajrami i cili akuzohet për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë së huaj”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj nuk pranoi fajësinë.
Pasi që i pandehuri nuk pranoi fajësinë, gjyqtari individual Mustaf Tahiri udhëzoi të njëjtin që brenda afatit ligjor prej 30 ditësh të paraqes kundërshtimet dhe propozimet e tij lidhur me provat ose të paraqes kërkesën për hudhjen e aktakuzës së ngritur kundër tij.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzon të pandehurin Përparim Bajrami për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë së huaj” sepse me datë 13 prill 2014, rreth orës 17:30, në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur mes vete i pandehuri me të dëmtuarin Afrim Hoxha, i pandehuri e kishte gjuajtur me një çelës të metaltë veturën e markës “Mercedes”, pronë e të dëmtuarit, me ç’rast i gërvisht veturën në të dy dyert. Vlera e dëmit të shkaktuar sipas të dëmtuarit sillet rreth 250 euro.