I akuzuari e kundërshton aktakuzën që e ngarkon atë për uzurpim prone

lipjan
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Qershor 10, 2019

Lipjan – I akuzuari për uzurpim prone, Hysni Bytyqi, e ka kundërshtuar aktakuzën ndaj tij, në seancën e  shqyrtimit të dytë, të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Bytyqi ka thënë se e kundërshton aktakuzën ndaj tij, për arsye se ai nuk e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Prokurori Blerim Igrishta, në këtë seancë, ka deklaruar se qëndron pranë aktakuzës, duke i propozuar gjykatës që të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor.

Gjykatësi Avdirrahman Gashi, ka thënë se pasi që i akuzuari ka hequr dorë nga paraqitja e kundërshtimit me shkrim, për këtë çështje do të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor, të cilin me aktvendim e ka caktuar për 13 gusht 2019, në ora 13:00, ku sipas tij, me thirrje do të ftohet i dëmtuari Fatmir Ibrahimi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 nëntor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj tani të akuzuarit Hysni Bytyqi, me arsyetimin se ai më 23 prill 2018, në Lipjan, në rrugën “Adem Jashari”, me dashje e në mënyrë të kundërligjshme e ka uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, lokalin e tani të dëmtuarit Fatmir Ibrahimi.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në atë mënyrë, që pasi që e ka kuptuar nga AKP-ja, se i dëmtuari e ka blerë lokalin, nuk e ka lejuar atë që të marrë në posedim lokalin në fjalë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332, paragrafi 1 i KPRK-së. /Betimipërdrejtësi