I AKUZUARI DËNOHET ME KATËR MUAJ BURGIM ME KUSHT PËR DËMTIM TË PASURISË SË HUAJ

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Bujar Demiri i akuzuar për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë së huaj”, pas pranimit të fajësisë u dënua me katër muaj burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i pandehuri nuk përsërit apo kryen vepër tjetër penale. Ndërsa i dëmtuari në këtë çështjes, Afrim Rifati për kompensimin e dëmit të shkaktuar u urdhërua në kontest civil.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtarja individuale Hysnije Gashi, të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit Visar Musa, i pandehuri pranoi fajësinë për veprën penale që i rëndohej, ndërsa deklaroi se i vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, duke theksuar se ka qenë hera e parë që ka luajtur lojëra fati dhe se këtë vepër e ka kryer nën ndikimin e alkoolit.

Bujar Demiri akuzohej për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë së huaj” sepse më 10 shkurt 2014, rreth orës 18:20 në Ferizaj, në një lokal të lojërave të fatit kishte goditur me grusht dore xhamin e aparatit të lojërave të fatit “Rolet”. I pandehuri këtë e kishte kryer pas dëshpërimit që kishte humbur një shumë parash prej 680 euro, me ç’rast të dëmtuarit Afrim Rifati i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 250 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë