I akuzuari deklarohet i pafajshëm, mohon ta ketë blerë motoçikletën e vjedhur

GJTH Peje Foto
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shtator 17, 2019

Pejë – I akuzuari për blerje, pranim ose fshehjen e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, Besfort Manaj, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare që është mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Pejë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Suada Hamza, i akuzuari ka mohuar fajësinë për veprën që e ngarkon aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjyqtari Shaqë Curri e ka njoftuar atë që në afat prej 30 ditësh, ka të drejtë që me shkrim të paraqet kërkesën për kundërshtimin e aktakuzës dhe hedhjen e saj.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar të mbahet më 22 tetor 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, para leximit të aktakuzës, prokurorja Suada Hamza, ka deklaruar se ka bërë plotësimin e aktakuzës dhe atë në reshtin e parë të dispozitivit, ku duhet të jetë “gjatë muajit shkurt të vitit 2018 dhe në kohë të pavërtetuar në fshatin Raushq, Komuna e Pejës”, ndërsa ka theksuar që pjesa tjetër e dispozitivit mbetet e pandryshuar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, Besfort Manaj akuzohet që gjatë muajit shkurt të vitit 2018 dhe në kohë të pavërtetuar në fshatin Raushiq të Pejës, e ka blerë sendin për të cilin ka mundur ta dijë se është i përfituar nga kryerja e veprës penale, dhe atë një motoçikletë, pronë e të dëmtuarit Ramë Ramaj.

Në aktakuzë thuhet që i pandehuri e kishte blerë sendin kinse nga një person i panjohur, dhe atë në shumë prej 150 euro edhe pse vlera reale e tij ka qenë 500 euro, përderisa ai punon si automekanik dhe ka mundur ta dijë vlerën e tij, por sipas aktakuzës, ai e ka blerë dhe më pas ia ka shitur një personi tjetër me çmim prej 170 eurosh.

Sipas këtyre veprimeve, ai akuzohet për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me rastin e kryerjes së veprës penale”, nga neni 345, par.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi