I akuzuari Bersan Kolgeci: Askush s’mund të akuzohet për lëshim të një rekomandimi, inspektorati nuk më kishte njoftuar që “Prima Pharm”  po hetohej

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Bersan Kolgeci, drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM), i akuzuar për keqpërdorim te pozitës zyrtare, tha se askush nuk mund të akuzohet për lëshim të një rekomandimi, pasi i njëjti nuk është vendim final, por vetëm një mendim profesional.

“Rekomandimin e kam lëshuar konform Ligjit për Procedurën Admistrative (LPA) dhe sipas kërkesës që është parashtruar dhe për këtë kam fakte në të cilat po mbështetem. Nëse ka qenë i drejtë apo jo ky rekomandim është çështje tjetër”, kështu është shprehur Kolgeci gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.

Kolgeci akuzohet për lëshim të një rekomandimi lidhur me operatorin ekonomik “Prima Pharm” ku e kishte rekomanduar drejtorin e Administratës, që këtij operatori t’i lëshohen banderolat për barna.

Sipas prokurorisë Kolgeci bashkë me të akuzuarit tjerë Ilir Dushi, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të AKPM-së, Haki Ejupit, në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Licencimit dhe Edon Hajrullaga, drejtori i “Prima Pharmit”,  kishin qenë në dijeni që i njëjti operator nuk kishte qenë i pajisur me certifikatën e Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).

Gjatë mbrojtjes i njëjti tha se Inspektorati i AKPM-së, nuk e kishte lajmëruar se “Prima Pharm” ishte nën hetime, detyrë të cilën do duhet ta kryente përmes një raporti.

“Nuk jam i çmendur që të lëshoj rekomandim, sikur të isha njoftuar që ky operator farmaceutik është nën hetime dhe që një pjesë e barnave të këtij operatori është në kantinë”, u shpreh Kolgeci.

Nëse ka qenë dikush tjetër i autorizuar që ta njoftojë Zyrën Ligjore lidhur me “Prima Pharm” dhe barnat e vendosura në kantinë , Kolgeci sqaroi se edhe nga ana e kryeshefit është dashur që të njoftohet, pasi sipas tij çdo gjë lidhur me AKPM-në bëhet me njohurinë e të njëjtit.

Kolgeci theksoi se, arsyeja se pse nuk i ishte përgjigjur në e-mail, Sejdë Tolajt  lidhur me kërkesën për dërgimin e dokumentacioneve përcjellëse për operatorin ekonomik “Prima Pharm” ishte se gjendej në pushim vjetor dhe se e-mailin zyrtar nuk e kishte hapur fare.

Pushimin vjetor më është dashur që ta ndërpresë me kërkesë të kryeshefit, ku nga i njëjti më është kërkuar që ta përfundoj përpilimin e udhëzimit adminstrativ mbi autorizim marketingun, kërkesë kjo nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Kthimi në punë për tre ditë mund të ketë qenë arsyeja se pse Tolaj kishte deklaruar se nuk iu kam përgjigjur përmes e-mailit, por edhe pse jam kthyer nuk kam qëndruar në zyrën time, por në zyrën e IT-së, tha Kolgeci.

Kërkesën për dokumente Tolaj ka mundur ta bëjë edhe gojarisht, pasi zyra sipas tij edhe pse në pushim ka qenë e hapur, ku si u.d e drejtoreshës së Departamentit Ligjor është zgjedhur Violeta Dibra.

Trupi gjykues gjatë administrimit të provave, refuzoi propozimin e mbrojtjes lidhur me caktimin e një ekspertit farmaceutik, propozim ky i mbrojtësit të Kolgecit, avokati Muhamet Shala, të cilin propozim e mbështetën e gjithë mbrojtja.

Propozimin tjetër të cilin gjykata e refuzoi ishte ai i mbrojtësit të Dushit, avokatit Nikë Shala  lidhur me shpalljen e një prove të papranueshme, atë të dëshmisë së Sejdë Tolaj, pasi i njëjti sipas tij ka qenë  i dëgjuar si i pandehur dhe më pas si dëshmitarë në shqyrtim gjyqësor.

Lidhur me këtë prokurorja Merrushe Llugiqi, sqaroi se ndaj Sejdë Tolaj nuk ka pasur asnjëherë kallëzim penal lidhur me këtë rast e aq më tepër fillim të hetimeve prandaj sipas saj është ftuar edhe si dëshmitar.

Ky proces zhvillohet sipas aktakuzës së prokurorisë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në AKPM në Prishtinë, i akuzuari Ilir Dushi në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në AKPM, Haki Ejupi në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Licencimit na bashkëkryerje me të akuzuarin Bersan Kolgecin, Drejtor i Departamentit Ligjor në AKPM, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, për operatorin ekonomik Prima Pharm. Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar rekomandimin me nr.1115/5 të datës 07.08.2013, me të cilin ka rekomanduar Drejtorin e Administratës që të bëj përgatitjen dhe t’i lëshon banderolat për barna për operatorin Prima Pharm. Këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435124 banderola për 18 produkte medicinale. Kështu i është mundësuar këtij subjekti që barnat e importuara nga Kina me datë 23.03.2013 t’i shpalos në treg, edhe pse nuk është dashur që ky rekomandim të lëshohet meqë të tre të pandehurit e kanë ditur që Prima Pharm nuk është pajisur me certifikatën e Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).

Ndërkaq i akuzuari i katërt Edon Hajrullaga, Drejtori i operatorit ekonomik Prima Pharm, akuzohet për veprën penale Prodhim i ndaluar se pa autorizim ka prodhuar dhe shitur medikamente edhe pse nuk ka pasur të drejtë, meqë sipas ligjit mbi produktet medicinale, prodhimin e produkteve medicinale mund ta realizonte deri me datë 18.11.2012, pas së cilës datë ai ka qenë i obliguar të pajiset me certifikatë të PMP-së, ndërsa i njëjti nuk ka qenë i pajisur me një certifikatë të tillë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë