HYSNI XHEMA DEKLAROHET I PAFAJSHËM PËR VRASJE NË TENTATIVË

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – I akuzuari për vrasje në tentativë, Hysni Xhema, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën që i ngarkohet.

Gjatë shqyrtimit,  mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avni Ibrahimi u deklarua rreth masës së paraburgimit të caktuar ndaj të mbrojturit të tij. Përkitazi me këtë Ibrahimi i propozoi gjyqtarit të çështjes Sahit Krasniqi,  që masa  e paraburgimit të i zëvendësohet klientit të tij me masën e arrestit shtëpiak. Sipas tij rrethanat që i referohen ngjarjes kritike si dhe veprimet procedurale që janë ndërmarrë nga prokuroria dhe gjykata, po ashtu edhe rrethanat që i referohen personalitetit të kryesit tregojnë dhe vërtetojnë se kanë pushuar arsyet që i mbrojturi i tij të qëndrojë në paraburgim.

Lidhur me këtë, prokurori i shtetit Shukri Jashari i propozoi gjykatës që një propozim i tillë të refuzohet sepse sipas tij ende nuk kanë pushuar arsyet e ndërprerjes së kësaj mase. Prokurori Jashari shtoi se masa e paraburgimit e caktuar dhe e vazhduar ndaj të akuazurit të vazhdohet deri në përfundim të procedurës, për shkak se siç deklaroi ai raportet mes palës së akuzuar dhe të dëmtuar ende janë të acaruara, dhe nëse eventualisht gjykata vendos për ndërprerjen e paraburgimit dhe zëvendësimit e kësaj mase me atë të arrestit shtëpiak ekziston rreziku i përsëritjes së veprës, konrketisht vazhdimit të saj.

I dëmtuari në këtë rast, Shyqeri Bajraktari deklaroi se me të pandehurin dhe familjen e tij ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje pajtimi, edhe përkundër asaj se nga ana e familjes së të pandehurit Xhema kanë provuar për një gjë të tillë. Ndërsa sa i përket ngjarjes kritike i dëmtuari deklaroi se edhe më herët kanë pasur probleme me tani të akuzuarin Hysni Xhema lidhur me një pjesë të malit -“zabeli”, për të cilën që të dy pretendojnë se u takon.

Gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi refuzoi propozimin e mbrojtjes për heqjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësimin e saj me masën e arrestit shtëpiak. Ky vendim u mor me arsyetimin se ende nuk kanë pushuar shkaqet dhe arsyet për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj e ngarkon të pandehurin Hysni Xhema me veprën penale “vrasje në tentativë”. Sipas aktakuzës, i akuzuari në fjalë me datë 3 mars 2016, rreth orës 10:30 në fshatin Luzhak në Shtime, me dashje ka tentuar t’a privojë nga jeta të dëmtuarin Shyqeri Bajraktari. Ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që i dëmtuari kishte shkuar në pyllin privat për të prerë dru, ndërsa pas pak aty kishte shkuar i pandehuri i cili kishte kërkuar arsyen pse po pret drunjë në pyllin e tij. Pas një konflikti verbal në mes tyre të njejtit fillojnë të rrihen në mes vete, ku i pandehuri merr sopatën e të dëmtuarit e cila ishte në tokë, e sulmon fizikisht me sopatë duke e goditur një herë të dëmtuarin me  pjesën e topitur – çykën e sopatës në kokë. Nga kjo  goditje i dëmtuari rrëzohet në tokë dhe pëson lëndime të rënda trupore.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë