Hudhet poshtë aktakuza për korrupsion ndaj drejtorit në AKK, shkak parashkrimi relativ

Foto, Gjykata Themelore Prizren
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Mars 14, 2019

Prizren – Gjykata Themelore në Prizren, e ka hedhur poshtë aktakuzën e ngritur më 31 tetor 2018, dhe ka pushuar procedurën penale ndaj drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjykata e ka pushuar procedurën edhe ndaj Xhavit Shabanit, i cili akuzohej për uzurpim të paligjshëm të pronës.

Gjyqtari i rastit Artan Sejrani, sipas aktvendimin të 6 marsit 2019, ka konstatuar se ndaj të akuzuarit Ismet Kryeziu, është parashkruar vepra penale për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar, ngase sipas gjykatësit Sejrani, kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga kryerja e veprës penale apo veprimet inkriminuese.

Kurse, për të akuzuarin tjetër Xhavit Shabani, i cili sipas akuzës ngarkohej me uzurpim të paligjshëm të pronës, gjykata e shkallës së parë, në aktvendimin e saj, ka thënë se ndaj të njëjtit nuk ka prova të mjaftueshme se ai e ka kryer veprën penale.

Gjykata ka konsideruar se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale sipas aktakuzës, ngase i akuzuari Shabani, ka hyrë në shfrytëzim në këto ngastra kadastrale duke u bazuar në aktvendimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, e nga kjo bazë, sipas aktvendimit të gjykatës, përjashtohet edhe përgjegjësia penale e të akuzuarit.

Prokurorja Ervehe Gashi, lidhur me këtë vendim ka bërë të ditur se më 11 mars 2019, ka ushtruar ankesë në shkallën e dytë.

Për më tepër, përfaqësuesja e akuzës, për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se për këtë rast nuk ekziston parashkrimi, pasi që sipas saj, veprimi i fundit në kontinuitet i të akuzuarit Ismet Kryeziu, është kryer në vitin 2016.

Pala e dëmtuar, Komuna e Prizrenit, sipas aktvendimit për pushimin e procedurës, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko civil.

Kurse, sipas këtij vendimi, shpenzimet procedurale do të bien në barrë të mjeteve buxhetore.

Ndryshe, i akuzuari Ismet Kryeziu, kërkesën për hudhje të aktakuzës, e kishte bërë me anë të mbrojtësit të tij, avokatit Hazër Susuri, në seancën e 12 Shkurtit 2019, në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

“Fillimisht qëndroj në tërësi pranë kërkesës për hedhjen e akuzës dhe kundërshtimin e provave të datës 27 nëntor 2018, po ashtu konsideroj se në bazë të nenin 422 par 1 të KPRK, maksimumi i dënimin kërcënues është dënimi prej 6 muajve deri në 5 vjet. Në bazë të nenit 106 dhe 107 të KPRK-së, është arritur parashkrimi relativ dhe absolut i ndjekjes penale kundër të akuzuarit Ismet Kryeziu, andaj konsideroj se ndjekja penale ndaj tij duhet të ndalohet”, kishte thënë avokati Susuri.

Po ashtu, në këtë seancë, një deklarim të tillë e kishte bërë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Shabani, avokati Skender Morina, i cili kishte thënë se vepra penale ndaj klientit të tij, është parashkruar, dhe sipas tij, duhet të pushoj ndjekja.

“Pas parashtrimit të kërkesës me shkrim për hedhjen e aktakuzës më 26 dhjetor 2018, qëndroj në tërësi pranë të njëjtës, po ashtu shtoj se në rast se refuzohet kjo kërkesë nga ana e gjykatës, do ta rezervoj të drejtën që të sjelli prova materiale përkitazi me pronën që kontestohet ku i mbrojturi im konsiderohet si uzurpues”, kishte deklaruar avokati Morina.

Në këtë seancë, prokurorja e kësaj çështje penale, Ervehe Gashi, kishte kërkuar që propozimet e mbrojtjes të refuzohen, dhe sipas saj, të vazhdohet me shqyrtim kryesor.

“Konsideroj se aktakuza e prokurorisë është e mbështetur në prova të pranueshme, që janë nxjerr në kuptim të dispozitave të KPRK-së, si dhe për këtë rast nuk ekziston parashkrimi pasi që veprimi i fundit në kontinuitet i të akuzuarit Ismet Kryeziu, është kryer në vitin 2016, nga kjo propozoj që të refuzohen kërkesat e mbrojtjes dhe të jepet leja për shqyrtim kryesor” kishte deklaroi prokurorja Gashi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor të vitit 2018, Ismet Kryeziu, si zyrtar ligjor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, gjatë periudhës kohore 2007-2016 ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për personin tjetër, me ç’rast i ka shkaktuar dëm personave të tjerë.

Aktakuza thotë se më 21 maj 2007, Kryeziu, ka marrë aktvendim në kundërshtim me Ligjin mbi tokën ndërtimore, me të cilin vendim ka aprovuar pjesërisht ankesën e ”Mali – Impex” në Prizren për bartjen e të drejtës së shfrytëzimit të një pjese të ngastrës, pronar i së cilës ishte Komuna e Prizrenit.

Me këtë, Ismet Kryeziu, akuzohej për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, i akuzuari i dytë Xhavit Shabani, ngarkohet me veprën penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme sepse, sipas aktakuzës, në vitin 2012 e në vazhdimësi në mënyrë të kundërligjshme e kishte uzurpuar pronën e paluajtshme shoqërore, në pronësi të Komunës së Prizrenit, së bashku me të gjitha objektet e ndërtuara në të.

Në aktakuzë thuhej se Shabani kishte uzurpuar hapësirat të cilat i takojnë Komunës së Prizrenit në bazë të kontratës mbi realizimin e tregut të qytetit në lagjen ”Ortakoll” dhe ankesave të kontratës në fjalë.

Me këtë, Xhavit Shabani, akuzohej se kryer veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës se paluajtshme” nga neni 332 i KPRK-së.