HUDHET AKTAKUZA PËR KURRUPSION PËR SHKAK TË PARASHKRIMIT TË LËNDËS

Raporton: Hyrije MEHMETI 

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Mursel Zymberit, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Kjo ka ndodhur në shyqrtimin fillestar të kësaj lënde, pasi prokurori Abdurrahim Islami ka hequr dorë nga akuza, me arsyetimin se e njejta ka arritur parashkrimin relativ.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit, i akuzuari Mursel Zymberi deklarohet i pafajshëm për veprën me të cilën ngarkohet. Megjithatë, mbrojtësi i tij, avokati Nuhi Paçarizi, kërkoi nga gjyqtarja e çështjes që të refuzohet kjo aktakuzë, me arsyetimin se të gjitha veprimet eventualisht të ndërmarra nga i mbrojturi i tij, e që janë të përshkruara në dispozitiv të aktakuzës si dhe në atë të aktvendimit për fillimin e hetimeve, kanë arritur parashkrimin.

Në këtë rast, gjyqtarja e çështjes, Suzana Çerkini shpall të përfunduar këtë lëndë dhe bën të ditur se gjykata do të merr aktvendimin me shkrim për refuzimin e aktakuzës, për të cilën palët do të njoftohen me kohë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25 gusht 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj Mursel Zymberit, me arsyetimin se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare në atë mënyrë që gjatë periudhës kohore prej 1 dhjetorit 2009 e deri më 29 dhjetor 2009, në cilësinë e Kryetarit të Sindikatës së Shërbyesëve Civil të Kosovës, nuk i ka arsyetuar me dokumentacion përkatës shpenzimet në vlerë prej 3.150.00 euro për mjete financiare të ndryshme përfshirë këtu shpenzimet e derivateve, pagat e puntorëve, rregullimin e veturave private, shpenzimet e udhëtimeve, mjete këto të Sindikatës së Shërbyesëve Civil të Kosoës në Prishtinë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë