Shpallet aktgjykim refuzues ndaj ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa

37388681_1778886102148075_6442088745112961024_n
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Korrik 20, 2018

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky vendim u mor në seancën e së premtës, pasi prokurori i çështjes Shaban Spahiu hoqi dorë nga ndjekja penale ndaj Mustafës, me arsyetimin se për këtë çështje është vendosur njëherë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

“Dje kësaj prokurorie i ka arritur informacioni bashkë me aktvendimin për hudhjen e kallëzimt penal të datës 28 gusht 2013, ku prokurori i çështjes pranë Prokurorisë Speciale, pas raportit të veçante të hetimeve të cilin e kishin sjellë Njësiti i Hetimeve Rajonale për Krime të Rënda kishte vlerësuar se nuk kishte prova se i pandehuri Qemajl Mustafa kishte kryer këtë vepër penale, andaj edhe e kishte hudhur kallëzimin penal”, deklaroi prokurori Shaban Spahiu.

Tutje, prokurori Spahiu tha se sipas parimit ligjor, ndaj një personi nuk mund të vendoset dy herë për të njëjtën çështje penale, për çka edhe heq dorë nga ndjekja penale në këtë rast.

Në këto rrethana, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Naser Maliqi shpalli aktgjykim refuzues.

Ndryshe, në seancën e fundit të mbajtur më 16 qershor, Mustafa gjatë mbrojtjes së tij ka thënë se nuk i ka shkaktuar dëm KRM “Higjienës, por sipas tij, nga kjo kanë pasur dobi qytetarët e Gjilanit.

“Nuk i kam shkaktuar dëm “Higjienës”, por përkundrazi kemi investu në të dhe prej kësaj marrëveshje kanë pas dobi vetëm qytetarët e Komunës së Gjilanit, ndërsa unë nuk kam pas kurrfarë përfitimi pasuror, bile as nuk kam punësu dikë të familjes”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, Shaban Spahiu, nëse Mustafa kishte dëshmi se janë investuar në vitin 2012 dhe në vitin 2013 shuma prej 500.000 euro ashtu siç ishte paraparë, ish-kryetari ka thënë se këtë e dëshmon edhe ekspertiza e ekspertit financiar Riza Blakaj.

“Ekspertiza financiare e ekspertit Riza Blakaj po ashtu është nën përputhje të plotë me raportin e “Eco Higjienës”, i qershorit të vitit 2013 ku thuhet se është investuar shuma e paraparë pothuajse e njëjta, mirëpo edhe eksperti  ka qenë dashtë me pre periudhën kohore në ekspertizën e tij”, ka thënë tutje Mustafa.

Qemajl Mustafa akuzohej se duke qenë në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, apo shkaktimin e dëmit personit tjetër, ka tejkaluar kompetencat e tij.

Sipas aktakuzës, Mustafa, pretendohet se veprën penale e ka kryer në atë mënyrë që më 23 maj 2012, si kryetar i komunës, në emër të autoritetit kontraktues publik të ish-Kompanisë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Higjiena”, në Gjilan, ka nënshkruar marrëveshjen e partneritetit publiko-privat, për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët aksionare “Eco Higjiena”, me autoritetin kontraktues privat Christian Moser – “Moser Group”, përkatësisht i degës së saj “ECO Vision”, në Gjilan.

Këtë veprim, ish-kryetari i Gjilanit e kishte bërë mbi bashkimin e mjeteve dhe kapitalit në proporcion 51 % për partneritetin privat dhe 49 % për atë publik,  të cilin veprim e kishte bazuar në Ligjin nr.03/L-090 mbi Partneritetin Publiko – Privat.

Mirëpo, sipas aktit aktakuzës, Mustafa, këtë e kishte bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, sepse ligji i lartcekur ishte shfuqizuar më 21 tetor të vitit 2011, me nxjerrjen e Ligjit nr.04/L-045, mbi Partneritetin Publiko Privat.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri si autoritet kontraktues nuk kishte vepruar konform dispozitave ligjore dhe konditave të marrëveshjes mbi partneritetin publiko – privat, përkatësisht për të kërkuar nga autoriteti kontraktues i partneritetit privat përmbushjen e obligimeve që ka pasur me marrëveshjen për realizimin e investimeve të zotuara.

Tutje, në aktakuzë thuhet se nuk është përmbushur marrëveshja e investimeve të zotuara për shumën në lartësi prej 1,500,000,00 euro për periudhën gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014, por ka realizuar vetëm investimet në shumë prej 542,243,45 euro, ndërsa nuk ka përmbushur shumën e investimeve prej 957,756,55 euro, gjendje kjo që ka ndikuar negativisht në profitabilitetin e subjektit përkatës.

Me këtë rast, i pandehuri Mustafa duke mos ndërmarrë masat e parapara me ligj si dhe duke mos shfrytëzuar as të drejtën sipas nenit 16 të kësaj marrëveshje për ndërprerjen e partneritetit për shkak të shkeljeve të detyrimeve nga partneriteti tjetër privat si dhe duke neglizhuar të paraqes raportet vjetore rreth këtij partneriteti publiko-priva, i ka shkaktuar dëm material partneritetit publik, përkatësisht KRM “Higjiena”.