Hudhet aktakuza e ngritur ndaj personit të gabuar, ajo kurrë s’kishte jetuar në Podujevë

Gjykata Podujeve, 50
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Shkurt 18, 2020

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarës për veprën penale “ndryshim i njehsorit të shërbimeve”, B.H.

Një aktvendim të tillë, kjo gjykatë e ka marr, pasi që është vërtetuar se ajo nuk jeton më, dhe se Prokuroria e Prishtinës, gabimisht e kishte akuzuara atë si kryerëse e një vepre të tillë penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e gjykatësit të çështjes, Gazmend Bahtiri, bashkëshorti i tani të ndjerës, kishte prezantuar në gjykatë, me ç’rast kishte bërë të ditur se gruaja e tij kishte vdekur më parë dhe se nuk është ajo e cila e ka kryer një vepër të tillë penale.

Sipas gjykatësit Bahtiri, duke iu referuar deklarimeve të bashkëshortit të tani të ndjerës, ai kishte thënë se pikërisht në përvjetorin e vdekjes së gruas së tij kishte pranuar ftesën për gjykatë.

Vdekja e të akuzuarës në fjalë, sipas aktvendimit të gjykatësit Bahtiri, është konfirmuar bazuar në certifikatën e vdekjes, duke vërtetuar se ajo ka jetuar në Prishtinë, e jo në Podujevë, siç pretendonte aktakuza.

Sipas gjykatësit Bahtiri, bashkëshorti i saj, kishte njoftuar se ata e kanë prejardhjen nga Gjilani dhe se për kohë të gjatë jetojnë në Prishtinë, por që nuk kanë lidhje me Podujevën.

Gjykatësi Bahtiri, ka thënë se duke qenë se prokuroria, ka bashkëpunuar me Njësinë e Koordinimit Ndërkombëtar për Zbatim të Ligjit (ILEC), prej së cilës ka marrë të dhënat identifikuese, në lidhje me të akuzuarën në fjalë, ka rastisur në një person tjetër, me të njëjtin emër edhe mbiemër, por që dallon nga disa të dhëna tjera të identifikimit, si pasojë e së cilës është ngarkuar me aktakuzë dikush që nuk ka të bëjë fare me çështjen dhe vendin e përshkruar në aktakuzë.

Meqenëse, gjykata seancën ndaj të akuzuarës B.H, e kishte paraparë për të martën, para se për këtë çështje të vendosej me aktvendim të veçantë, prokurori që ka përfaqësuar aktakuzën në seancën e së martës, Fatmir Behramin, gjykatësi Bahtiri e ka njoftuar se lidhur me aktvendimin në fjalë, në formë të shkruar veçse është njoftuar edhe Prokuroria.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 26 dhjetorit 2014, që ishte përpiluar nga prokurori Valdet Gashi, B.H, akuzohej se më 14 mars 2014, në Podujevë, rruga “Ali Ajeti”, me qëllim të furnizimit me energji elektrike, në mënyrë të kundërligjshme, ka manipuluar me njehsorin elektrik, në atë mënyrë që përreth kapakut të epërm nga ana e djathtë, ka futur shiritin filmik dhe e ka penguar punën e diskut, me qëllim që rryma elektrike e shpenzuar të mos regjistrohet.

Siç përshkruan kjo aktakuzë, KEDS-it i është shkaktuar dëm në vlerë prej 162.30 euro.

Me këtë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale “ndryshim i njehsorit të shërbimeve” nga neni 323, paragrafi 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi