Pezullohen nga puna dy zyrtarë të lartë të Shërbimit Korrektues lidhur me vdekjen e Astrit Deharit

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë – Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ka bërë të ditur se ka pezulluar nga puna dy zyrtarë të lartë, për siç thuhet, shkelje të rëndë lidhur me mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016, kur më 5 nëntor 2016 u gjet i vdekur Astrit Dehari.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se ka pezulluar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren”, thuhet në një komunikatë nga SHKK-ja.

Aty thuhet se ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje thuhet se Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës.

“Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës  vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në komunikatë/BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë