Hetuesja policore thotë se zyrtarët e KEK-ut kishin çelësat e depos dhe ishin përgjegjës për përvetësimin e ngjitësit për shiritat e thëngjillit

aaaa
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Nëntor 8, 2019

 


Prishtinë – Përpiluesja e raportit të vendit të ngjarjes, hetuesja policore, Sevdije Borovci, ka thënë se përgjegjës për depon, në të cilën kishte qenë ngjitësi për shiritat e thëngjillit, kishin qenë tre zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Vehbi Dragusha, Ejup Grajqevci si dhe Fahri Fejzullahu.

Këtë deklaratë, dëshmitarja Borovci e ka dhënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në të cilin rast të akuzuarit Dragusha dhe Grajqevci, si depoist, në depon e servisimit në divizionin e thëngjillit në KEK, kurse i akuzuari Fahri Fejzullahu, në cilësi të dhënësit të materialit në depo të thëngjillit, po akuzohen se kishin përvetësuar rreth 245 kilogramë ngjitës për shiritat të thëngjillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Sevdije Borovci, tha se më 17 maj 2012, kishin marrë informatën se kishte ndodhur një vjedhje e ngjitësit në Kosova A dhe se ajo me njësinë patrulluese prej dy apo tre policëve kishin shkuar në vendin e ngjarjes.

Sipas saj, kur kishin shkuar aty, fillimisht kishin biseduar me udhëheqësit dhe menaxherët, e pastaj kishin shikuar vendin e ngjarjes.

“Kemi biseduar me udhëheqësit, me menaxherët se çfarë ka ndodhur aty, e kemi shikuar vendin e ngjarjes, ka qenë një lloj depo ku mbahet materiali, gjatë vendshikimit të vendit të ngjarjes kemi vërejtur se përreth depos nuk ka pasur thyerje, nuk kanë depërtuar të dyshuarit përmes derës apo dritares, dera e kemi vërejtur se është hapur me çelës, s’ka pasur asnjë thyerje në derë apo cilindër të derës, e as thyerje të tjera”, ka deklaruar hetuesja policore Borovci.

Ajo tha se të akuzuarit kishin qenë personat përgjegjës për depon, të cilët i kishin pasur çelësat e depos.

Sipas saj, në depo kishin qenë të vendosura kamerat e sigurisë, mirëpo sipas saj, përgjegjësit e kamerave i kishin treguar se ato nuk kishin qenë funksionale, për shkak se sipas tyre, montuesit e kamerave e kishin lënë punën në gjysmë dhe nuk i kishin aktivizuar ato.

Sipas Borovcit, kapaku i kamerave të sigurisë, me të cilat është bërë lidhja e kamerës me energji elektrike e kishin lënë hapur, prandaj sipas saj, kishte ekzistuar mundësia që dikush të ndërhynte.

“Kapakun në të cilat është bërë lidhja me energji elektrike në kamerë e kanë lënë hapur, dhe ato kanë qenë pa kapak që ka mujt dikush me ndërhy që ta heq në çdo kohë kamerën prej rryme, në rastin konkret e kemi një foto ku shihet kutia se kamera nuk ka qenë e kyqur në rrymë”, ka thënë ajo.

Ajo tha se në vendin e ngjarjes nuk kishin marrë asnjë provë tjetër, përpos që kishin shikuar një incizim një minutësh pasi kishte ndodhur vjedhja.

Përpos çelësave të depos, dëshmitarja Borovci tha se tre të akuzuarit kishin pasur e kodet e depos.

“Ne i kemi pyetur përgjegjësit e zyrës dhe çelësave dhe për kodin që ia kanë dhënë menaxherët e vet, mendoj se tre punëtorët përgjegjës për depon e kanë pasur kodin, pasi që vet punëtorët më ka thënë”, ka thënë ajo.

Ajo tha se nuk i kujtohet a kishte pasur roje sigurimi në pikat e depos, ndërsa kur kishin shkuar në vendin e ngjarjes tha se nuk kishin vendosur shirita për sigurimin e vendit të ngjarjes dhe as nuk kishin siguruar ndonjë gjurmë për hetimin e rastit.

Ndryshe, në seancën e së premtes dëshminë e tij e ka dhënë edhe hetuesi policor, Halit Xhemajli, i cili kishte qenë përpiluesi i kallëzimit penal.

Ai tha se pasi kishte analizuar raportin e policit që kishe qenë në vendin e ngjarjes, i cili kishte konstatuar se kishte ndodhur vjedhje e ngjitësit dhe se vjedhja nuk ishte kryer me dhunë, forcë apo ndonjë thyerje, kishin intervistuar edhe tre të akuzuarit, të cilët sipas tij, kishin qenë përgjegjës për depon dhe kishin pasur çelësat e depos.

“Provë materiale nuk ka pasur pasi nuk është thyer ndonjë derë apo dritare, pasi që çelësat e asaj depoje i kanë pasur vetëm ata persona që kanë qenë përgjegjës, sa e di unë nuk kanë funksionuar kamerat prandaj nuk kemi pasur ndonjë video incizim”, ka thënë ai.

Sipas tij, pasi vjedhja nuk ishte kryer me dhunë apo thyerje, të akuzuarit ishin përgjegjësit për shkak se kishin qenë përgjegjës të depos.

Dëshmitari tha se ai personalisht nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa tha se nuk kishin bërë hetim shtesë se ku kishte kaluar ngjitësi.

I akuzuari Fahri Fejzullahu, i propozoi gjykatës që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen rojet e sigurimit të cilët kishin qenë afër depos ku ndodhej material më 16 maj 2012.

Pasi ky propozim nuk është kundërshtuar as nga prokurorja Merrushe Llugiqi, e as nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Shukrije Miftari, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Violeta Namani aprovuan këtë propozim.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 6 dhjetor 2019, në ora 09:10.

Ndryshe, në këtë rast, janë ndërruar tre kryetarë të trupit gjykues, ku fillimisht kishte qenë Faik Hoxha, pastaj rasti kishte kaluar te ish-gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, i cili pas daljes në pension, rasti i kishte kaluar kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 19 dhjetor 2013, ndaj Vehbi Dragushës, Ejup Grajqevcit dhe Fahri Fejzullahut, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Dragusha dhe Grajqevci më 17 maj 2012 sa ishin në kryerje të detyrës zyrtare në vendin e punës si depoist në depo të servisimit në divizionin e thëngjillit në KEK, kurse i akuzuari Fejzullahu në cilësi të dhënësit të materialit në depo të thëngjillit akuzohen se kishin kryer veprën penale të cekur më lartë.

Të njëjtit thuhet se në bashkëkryerje e me qëllim të përfitimit kishin përvetësuar duke marrë 245 kilogram ngjitës për shirita të thëngjillit pronë e të dëmtuarës KEK.

Me këtë rast, ata pretendohet se i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 5,115.6 euro, Korporatës Energjetike të Kosovës, përkatësisht divizionit të thëngjillit. /Betimipërdrejtësi