Hetohen Salustro dhe Fiori si të dyshuar për korrupsion

“Betimi për Drejtësi”

 Ish-prokurori Maurizio Salustro dhe ish-gjykatësi italian Francesko Fiori dyshohet se kanë marrë rryshfet për rastet e krimeve të luftës në Kosovë, duke keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë ushtrimit të funksionit si prokuror dhe si gjykatës ndërkombëtar në Kosovë.

Burime të sigurta brenda Prokurorisë, kanë bërë të ditur për emisionin “Betimi për Drejtësi”, se kundër ish-prokurorit Salustro dhe ish-gjykatësit Fiori, po zhvillohen hetime preliminare nën dyshimin se kanë marrë rryshfet nga disa avokatë vendorë, të cilët kanë mbrojtur disa prej të akuzuarëve për krime të luftës.

Për të zbardhur këto veprimtari të dyshimta korruptive të prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtar në Kosovë, misioni i EULEX-it ka krijuar një Task Forcë të përzier, ku përfshihet një prokuror nga Bashkimi Evropian së bashku me një prokuror vendës. Ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi”, mëson se për këto hetime kundër Salustros dhe Fiorit, Bashkimi Evropian ka caktuar prokurorin ndërkombëtar Heikki Wendorf  së bashku me prokurorin vendës të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Armend Hamitin, të cilët janë ngarkuar ekskluzivisht që të merren me hetimin e këtij rasti.

Emisioni “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar prokurorin ndërkombëtar Heikki Wendorf  dhe prokurorin vendës Armend Hamiti, të cilët po merren me hetimin e këtij rasti. Ata kanë refuzuar të deklarohen rreth këtyre hetimeve, për shkak të natyrës konfidenciale të punës në prokurori.

Në hetimet preliminare për grumbullimin e informatave kundër ish- prokurorit Salustro dhe ish- gjykatësit Fiori nën dyshimin se kanë kryer vepra penale korruptive, poashtu është krijuar një ekip e përzier e hetuesve të policisë, ku janë të përfshirë policë nga misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës.

Zyrtarët e EULEX-it, të kontaktuar të martën nga emisioni “Betimi për Drejtësi” kanë thënë se në lidhje me këtë çështje mund të përgjigjen ditën e hënë, pasi që deri atëherë personi kompetent që mund të jap përgjigje nuk është gjatë javës këtu, ndërsa do të përgjigjet posa të marr përgjigje zyrtare nga personi kompetent.

Burime brenda Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës bëjnë të ditur për emisionin “Betimi për Drejtësi” se dyshimet për këto veprimtari korruptive ishin ngritur në vitin 2011 nga një prokuror i EULEX-it, por aso kohe nuk kishte pasur veprime konkrete që të zbardheshin këto dyshime. Riaktivizimi i hetimeve preliminare në këtë rast, është bërë pas ndryshimeve në krye të misionit të EULEX-it, përkatësisht me ardhjen e shefit të ri, Bernd Borchardt. Pas ardhjes së tij, në vitin 2013 ishte marr vendim për krijimin e Task Forcës për hetimin e veprimtarive të dyshimta korruptive të Salustros dhe Fiorit, ndërsa operacionalizimi i kësaj ekipe është bërë tek në fillim të vitit 2014.

Për zhvillimin e hetimeve të avancuara penale kundër Salustros dhe Fiorit, poqëse sigurohen prova për veprimtari korruptive, nevojitet heqja e imunitetit të tyre nga EULEX për të mundësuar ligjërisht zhvillimin e procedurës hetimore penale.

Ndryshe, ish-prokurori Salustro ka punuar në Kosovë qysh prej kohës së UNMIK-ut dhe më pas në misionin e EULEX-it në Departamentin e Krimeve të Luftës. Së fundi është raportuar në media se Salustro ka filluar një punë të re në misionin e OSBE-së, me seli në Beograd të Serbisë.

Pas raportimeve për punësimin e tij në Beograd, përfaqësues të lartë të Republikës së Kosovës kanë shfaqur publikisht dyshimet e tyre për punën e bërë nga Salustro në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë