Hetimet ndaj ish-deputetit Azem Syla dhe 51 të tjerëve drejt fundit

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë – Hetimeve për krim të organizuar ndaj ish-deputetit të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Azem Syla dhe 51 të tjerëve po u vjen fundi.

Ka mbetur edhe një dëshmitar i mbrojtur, i cili pritet të  merret në pyetje nga prokurori i EULEX-it Danilo Ceccareli, dhe mbrojtja e 52 të dyshuarve për shitjen e tokave shoqërore në periferi të Prishtinës.

Mbrojtësi i ish-deputetit të PDK-së Azem Syla, avokati Tomë Gashi për “Betimi për Drejtësi” bëri të ditur se gjatë ditës së mërkurë mbrojtja ka përfunduar marrjen në pyetje për dëshmitarin e parë  të mbrojtur, i njohur si dëshmitari “1”.

Ky dëshmitar sipas avokatit Gashi ka dëshmuar edhe në disa raste të tjera të njohura në Kosovë.  Gashi pohoi se të premten  do vazhdoj rimarrja në pyetje e të njëjtit dëshmitar nga ana e prokurorit.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit “1” , sipas tij, dëshminë e tij pritet të jap edhe dëshmitari i  dytë  i mbrojtur, i njohur si dëshmitari “2”, dhe hetimet në këtë rast të shkojnë drejt fundit.

“Pas këtij dëshmitari do të jetë dëshmitari tjetër i mbrojtur  i njohur si dëshmitari “2” dhe përfundimisht po shkojmë kah fundi i hetimeve. Prokurori e ka obligim ligjor që t’i përfundoj hetimet deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ndërsa  ka paralajmëruar ngritje të aktakuzës ndaj Azem Sylës dhe 51 të tjerëve”, u shpreh avokati Gashi.

Gashi, po ashtu bëri të ditur se mbrojtja tashmë ka marr vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka refuzuar kërkesën e prokurorit të Eulex-it  për kthimin e masës së paraburgimit ndaj  Azem Sylës, Nuhi Ukës dhe Hajrullah Berishës.

Azem Syla dhe të tjerët  dyshohet se e  kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30 milionë euro.

Listës së të dyshuarve për krim të organizuar i prin Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Arton Vila, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla, Driton Hajdari, Nuhi Uka – ish kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Sabedin Haxhiu – kryeshef i ndërmarrjes publike banesore, avokatët Avni Maxhuni, Eduar Gashi, Mexhid Syla, dhe Gazmend Gashi.

Në këtë listë janë edhe Ramadan Uka – inxhinier, Avdyrrahman Brashori, Tefik Uka – zyrtar në Gjykatën Komunale të Prishtinës, Biserka Adianqiq – zyrtare certifikuese në Gjykatën Komunale të Prishtinës, dega në Graçanicë, Miliana Vlasaqeviq – zyrtare certifikuese në Gjykatën Komunale të Gracanicës, Lubisha Vujoviq, Aleksandër Bllagojeviq – polic i Kosovës, Vidosav Novakoviq – ish-polic i Serbisë, Bozhidar Lekiq, Dragan Maksimoviq, Shqipe Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Sami Maqedonci, Mustafë Haliti, Sali Bivolaku, Idriz Buza, Nyrtene Brajshori, Enver Çoçaj, Visar Ahmeti, Samir Haxhimusaj, Ndue Palushi, Shkelqim Latifaj, Jusuf Lataj, Agron Haxhosaj, Xhevahir Begolli, Nadir Shantir, Muharrem Kadriu, Ramadan Mavraj, Raif Hajdini, Valdet Shaqiri, Skender Potera, Arsim Hasani, Kujtim Bucaliu, Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Jeton Govori si  dhe Besnik Rexha.

Gjatë aksionit të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës për arrestimin e këtyre personave ishte bërë bastisja e rreth 40 lokacioneve të ndryshme.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë