HASAN PRETENI: AKK KA QENË URËLIDHËSE MES PROKURORISË DHE DËSHMITARIT MEHMET SHKODRA NË RASTIN E MTPT-së

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni vazhdoi dëshminë e tij në rastin e ashtuquajtur të MTPT-së, kundër ish- ministrit Fatmir Limaj dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Në pyetje nga  prokurori i EULEX-it Hardaway, Hasan Preteni para trupit gjykues të EULEX tha se pasi është bërë ankesa nga i dëmtuari Mehmet Shkodra, si Drejtor i AKK-së kishte angazhuar dy zyrtarë të Agjencisë, të cilët kishin filluar ekzaminimin dhe të njëjtin e kishin intervistuar dy herë, një herë në selinë e Agjencisë dhe herën tjetër në kompaninë e Shkodrës.

Preteni deklaroi se meqë ishte rast i ndjeshëm, zyrtarët gjatë ekzaminimit kanë regjistruar deklarimin e Shkodrës lidhur me pretendimet e tij për padrejtësitë që Ministria ka bërë gjatë procesit të tenderimit të rrugëve, në mënyrë që mos të kalojë asnjë element i rëndësishëm pa u shënuar apo regjistruar.

Preteni tha se nuk është marrë asnjë veprim pa dijeninë e tij dhe po ashtu i njëjti shtoi se asnjëherë këta dy zyrtarë të caktuar për hetimin e këtij rasti nuk kanë kontaktuar me Fatmir Limajn apo Nexhat Krasniqin.

Preteni sqaroi për gjykatën në mënyrë kronologjike rrjedhën pas pranimit të ankesës nga Shkodra, ku theksoi se Agjencioni e ka parë të nevojshëm që rasti t’i dorëzohet Prokurorisë së EULEX-it, të cilës i është dhënë dokumenti i ashtuquajtur informata, i ngjashëm me kallëzimin penal që është sot.

Dëshminë e tij Preteni e vazhdoi lidhur me dokumentacion përcjellës të informatës, ku i njëjti theksoi se së bashku me të kanë qenë edhe CD-ja e regjistrimit të deklaratës së dhënë nga Shkodra lidhur me pretendimet e tij si dhe ankesa e ushtruar.

Preteni deklaroi se kanë ekzistuar memorandume të bashkëpunimit mes AKK-së, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Shtetit dhe sipas tij AKK-ja kanë qenë edhe urëlidhëse mes Prokurorisë së EULEX-it dhe Mehmet Shkodrës, ku pastaj i njëjti ishte marrë në pyetje nga Prokuroria.

Sa i përket dokumentit të quajtur informata, Preteni deklaroi se dy zyrtarët e caktuar të Agjencisë e kishin përpiluar të njëjtin dokument, ndërsa si Drejtor vet Preteni e kishte nënshkruar, vendim  të cilin i njëjti e vlerësoi si të drejtë për atë kohë kur ishte nxjerrë.

Ndërsa gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Limaj, avokati Tahir Rrecaj, Preteni deklaroi se është publik raporti i punës së AKK-së për periudhën kohore deri në dhjetor të vitit 2015, raport i cili sipas të njëjtit i përmban 677 informata, më vonë kallëzime penale, ku rreth 30 prej tyre kanë qenë  të destinuara për Prokurorinë e EULEX-it, ndërsa të gjitha tjerat për Prokurorinë e Shtetit, por theksoi se asnjëherë nuk ishte ftuar në asnjë rast të dëshmoj me përjashtim të këtij rasti.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2. Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar. Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014, gjykata ka vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.
Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpërtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Përveq këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet poashtu edhe për veprën mosdeklarim i parave për fushatë. Këto vepra të përmendura në akuzë, kanë të bëjnë me gjashtë tenderë për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve nga kjo Ministri.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë