HAQIF KADRIJAJ DËNOHET ME 200 EURO GJOBË PËR VJEDHJE TË PYLLIT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Haqif Kadrijaj i akuzuar për veprën penale “vjedhje e pyllit”, është dënuar me gjobë në shumën prej 200 euro. Gjithashtu me atkgjykimin e shpallur ndaj tij, i njejti  është urdhëruar që palës së dëmtuar Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural t’ia paguaj dëmin e shkaktuar në shumë prej 596.70 euro. Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtarja individuale Hysnije Gashi të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Në këtë shqyrtim gjyqësor ishin të pranishëm përfaqësuesi i palës së dëmtuar Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Xhevdet Ramolli si dhe dëshmitari Hasim Balija i cili punon rojtar pylli.

I akuzuari Kadrijaj për veprën penale që ngarkohej nuk e pranoi fajësinë, dhe deklaroi se nuk i kujtohet fare që në ditën kritike ka shkuar në këtë zonë, gjegjësisht në zonën ekonomiko-pyjore Neredime – Jezerc, në ngastrën me numër 12 tek vendi i quajtur “Lumi i Madh”.

Pasi që i akuzuari nuk e pranoi fajësinë në këtë shqyrtim gjyqësor u dëgjua dëshmitari Hasim Balija, i cili punon si rojtar pylli në këtë zonë. Dëshmitari në këtë shqyrtim gjyqësor argumentoi faktin se më 5 tetor 2013 rreth orës 13:30 në ngastrën numer 12 në Jezerc ka takuar tani të pandehurin Haqif Kadrijaj në vendin e ngjarjes, dhe deklaroi se i njejti kishte prerë një lis me diametër 70 centimetër dhe gjatësi 24 metër. Ai gjithashtu tha se tani të pandehurin e kishte takuar duke ngarkuar drunjë në traktorin e tij të tipit “Rakovica”, ku tha se kishte me vete edhe një sharr motorike ndërsa kur i kishte kërkuar dokumentet i njejti nuk i kishte ofruar asnjë prej tyre.

Haqif Kadrijaj në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj më 23 dhejtor 2013, akuzohet se me datë 5 tetor 2013 rreth orës 13, në pyllin publik, të administruar nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, në vendin e quajtur “Ngastra 12”, në Jezerc në rajonin ekonomiko –pyjor në Nerodime – Jezerc, i pandehuri me qëllim vjedhje ka prerë në mënyrë të palejueshme me sharrë motorrike një (1) copë trungu të ahut të njomë, me diametër 70 centimetër, me gjatësi 24 metra, e me vëllim të përgjithshëm prej 4.2 metra kub dhe se bartjen e ka bërë me traktor të tipit “Rakovica” duke i shkaktuar Drejtorisë për Bujqësi , Pylltari dhe Zhvillim Rural dëm material në vlerë prej 596.70 euro, me të cilin ka kryer veprën penale “vjedhje e pyllit” nga neni 358 pargarafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë