Hapi lokalin e tij në Gjakovë, arrestohet edhe një person për mosrespektim të vendimit të Qeverisë

Gjakovee
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Mars 23, 2020

Gjakovë – Pavarësisht se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë vazhdon të rritet dita e ditës, ka të tillë që vazhdojnë të mos i respektojnë vendimet e nxjerra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit, Covid-19.

Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj, të hënën është arrestuar edhe një person për hapjen e lokalit të tij.

“Sot është shoqëruar në Stacionin Policor një person i cili të hënën e kishte hapur lokalin e tij. I njëjti pas intervistimit me urdhër të prokurorit është lëshuar dhe rasti vazhdon me procedurë të rregullt”, tha zëdhënësi Gjurkaj.

Ai shtoi se nga e premtja, përkatësisht 20 marsi i këtij viti, janë shoqëruar në Stacion Policor gjithsej gjashtë persona për mosrespektim të vendimeve të nxjerra nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbylljen e kafiterive, bareve dhe restoranteve, mbylljen e tregjeve të kafshëve dhe të automjeteve, me qëllim të parandalimit të përhapjes koronavirusit. /BetimipërDrejtësi