Hapet shqyrtimi dytësor për punëtorët e AKP-së

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë, 8 shkurt 2016 – Nora Bllaca, kryetare e trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të hënën, ka hapur shqyrtimin dytësor për rastin e aktakuzës së ngritur ndaj Abdurrahim Avdylit, Amir Demollit, Arsim Lecit, Ejup Gashit, Istref Dragushës, Nebih Murtezit, Petrit Gjokës, Nexhat Gjokës, Mexhit Morinës dhe Skender Gajtanit, të akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të  pozitës apo autoritetit zyrtar, si persona zyrtarë të AKP-së.

Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, tha para trupit gjykues, se të akuzuarit derisa ishin duke kryer punën e vozitësit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në mënyrë të kundërligjshme kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që duke siguruar e më pastaj duke prezentuar fatura fiktive se gjoja janë furnizuar me derivate të naftës nga kompania e derivative”HIP Petrol’’ dhe nënkontraktori i saj ‘’Fer Petrol”.

Në fjalën e tyre, mbojtësit e të akuzuarëve, kanë deklaruar se aktakuza nuk është ngritur duke u bazuar në fakte dhe rrethana që drejtëpërdrejtë rëndojnë të akuzuarit. Sipas avokatëve mbrojtës, aktakuza është ngritur duke u bazuar vetëm mbi raportin e Auditorit të Brendshëm, ku sipas tyre, nuk janë cekur elementet thelbësore të saj siç janë: koha, individualizimi dhe specifikimi i saj. “Është e çuditshme që mënjëherë pasi të akuzuarit janë cilësuar si kryerës të veprës penale, të njëjtit janë zëvendësuar me punëtorë të rinj, gjë që e vë në dyshim gjithë këtë çështje, po ashtu vlen të theksohet se nuk  ekziston  asnjë numër  i faturave, pa të cilat nuk mund të dëshmohet kryerja e kësaj vepre penale”, tha mbrojtësja e të akuzuarit, Istref Dragusha.

Mbrojtja e të akuzuarëve ka kërkuar nga trupi gjykues ta hedhë aktakuzën si të pabazuar. Me këtë nuk është pajtuar prokurori i çështjes Ilaz Beqiri, i cili tha se aktakuza është e ngritur bazuar në fakte, të cilat i janë paraqitur gjykatës.

Trupi gjykues ka refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës, pasi ka konsideruar se aktakuza është ngritur në bazë të provave të mjaftueshme të dyshimit të bazuar mirë për kryerjen e veprës penale që i ngarkon të akuzuarit.

Avokati Asdren Hoxha tha se në bashkëpunim me mbrojtësit e tjerë dhe me të akuzuarit që nuk kanë avokatë mbrojës në këtë rast, do të ushtrojnë  të drejtën e ankesës në Gjykatën  e Apelit dhe varësisht nga vendimi i Gjykatës së Apelit do të procedojnë më tutje.

Kryetarja e trupit gjykues, Nora Bllaca, ka marrë vendim që seanca e ardhshme të mos caktohet pa arritur vendimi i Gjykatës së Apelit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë