HAPET SHQYRTIMI KRYESOR PËR AKUZAT PËR KEQPËRDORIME NË UP NGA ENVER HASANI

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, u hap shqyrtimi kryesor kundër kundër ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, njëherësh ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasanit, Haki Veliu dhe Albert Rakipit. Përgjatë kësaj seance të tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat që u vihen në barrë andaj gjykata ka vazhduar me procedimin e provave.

Sipas aktakuzës, Prokuroria pretendon se Enver Hasani në cilësinë e Rektorit të UP-së, Veliu në cilësi të Shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Ragipi në cilësi të Drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë Institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe dhe kishin hartuar një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale.

Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.56 euro.

Përgjatë fjalës së saj hyrëse, prokurorja Drita Hajdari shpalosi në mënyrë verbale provat nëpërmjet të cilave Prokuroria pretendon se do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve. Fokus të veçantë Prokuroria ka vendosur në dy kontratat të lidhura mes UP-së dhe ISN-së, të cilat kanë pasur datë dhe numër të njejtë të protokollit. Ndërkaq, ato dallojnë në nenin 17 lidhur me çmimin ku sipas Prokurorisë, kontrata origjinale përmban çmimin prej 12,60 euro për 100 fjalë, kurse ajo tjetra 12,60 euro për 1000 karaktere. Më tej Prokuroria pretendon që të shpalos si prova korrespondencën elektronike të shkëmbyer nëpërmjet të cilës vërtetohet se të akuzuarit kanë ndryshuar kontratën sipas marrëveshjes paraprake. Kjo ekspertizë grafologjike njashtu vërteton se në kontratën e dytë nënshkrimi i Hakif Veliut nuk është falsifikuar siç ka pretenduar ai dhe se ndryshimi mes çmimit të paguar sipas karaktereve është rreth 63.982,66 euro më i lartë prej çmimit nëse pagesa do të bëhej në bazë të fjalëve të përkthyera. Në fjalën e saj hyrëse Prokurorja reagoi lidhur me pretendimet e Enver Hasanit se aktakuza është iniciuar si rezultat i hakmarrjes.

“Deklarimet e Enver Hasanit se aktakuza e ngritur ndaj tij paraqet hakmarrje nga Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumnezi janë paushalle sepse hetimet kanë filluar shumë kohë para se të dekretohej Lumnezi”, tha Prokurorja Hajdari.

Lidhur me këtë deklaratë reagoi mbrojtësi i Hasanit, avokat Bajram Tmava i cili tha se ndjehet i irrituar nga fjala hyrëse e Prokurores e cila i ngjason më tepër fjalës përfundimtare. Ndërkaq, Kryetarja e trupit gjykues ua ndaloi palëve debatin që përfshin interesa personal duke cekur se trupi gjykues është përqendruar në elaborimin e objektit të akuzës.

Mbrojtësi i Hasan Veliu tha se i mbrojturi i tij nuk e ka ditur dallimin mes terminologjisë “fjalë” dhe “karaktere”, ngase të njejtat nuk janë të përdorura në literaturën juridike e as atë ekonomike. Andaj sipas avokatit Skender Musa këtu nuk kemi të bëjme me dashje direkte apo eventuale e as pakujdesi nga klienti i tij ngase ai s’e ka has dallimin mes tyre më parë.

“Jemi pjesëmarrës të një procesi të iniciuar nga një aktakuzë e sajuar, jo mbi bazën e provave të drejta materiale por mbi bazën e perceptimeve të gabuara”, filloi fjalën hyrëse avokati Gazmend Nushi, mbrojtës i Albert Rakipit.

Ai kërkoi që prokurorja të bëjë një shtjellim më të thuktë lidhur me pretendimin se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale “mashtrim në detyrë”, ngase kontrata ka qenë valide andaj nuk po kupton se kënd e ka vendosur në lajthim Rakipi. Sipas mbrojtjes në provat e prokurorisë nuk vërtetohet dashja direkte e bashkëkryerjes, e cila do të duhej të manifestohej nëpërmjet të komunikimit direkt mes Rakipit dhe Veliut. Për më tepër, avokati theksoi se i mbrojturi i tij, shtetas i Shqipërisë nuk është person zyrtar në Republikën e Kosovës.

Pas elaborimit të fjalës hyrëse u vazhdua me procedurën e provave. Përgjatë pjesës së parë të seancës deklaroi Afrim Hoti i cili në dhjetor të 2008, përkatësisht kohën kur pretendohet të jetë kryer vepra penale ka qenë pjesë e një Komisioni për Vlerësimin e Përkthimeve të Librave, përkthim ky i bërë nga ISN-ja në bazë të kontratës të lidhur mes UP-së dhe ISN-së. Ai deklaroi se asnjëherë nuk e ka parë kontratën e lidhur mes UP-së dhe ISN-së dhe theksoi se materialet i kishte pranuar gjithmonë nga kryetarja e komisionit, Shpresa Hoxha. Ai tha se komisioni kishte konstatuar cilësinë e mirë të përkthimit nëpërmjet të një raporti të shkurtër prej 4-5 fjalive ku ishte konstatuar cilësia e mirë e 8 librave të përkthyer dhe kishin dhënë rekomandim që të procedohet me pagesë. Megjithatë, Hoti ceku se nuk kanë pasur ndonjë kompetencë lidhur me pagesat e bëra.

Në pjesën e dytë të seancës deklaroi Shpresa Hoxha, e cila ka qenë e caktuar si Kryetare e Komisionit të lartpërmendur. Ajo tha se Komisioni ishte formuar nga Rektorati i asaj kohe me qëllim të përkthimit të teksteve universitare dhe roli i komisionit ka qenë vlerësimi i cilësisë të përkthimit të teksteve universitare të bëra nga ISN-ja. Dëshmitarja deklaroi se në kohën e nxjerrjes së vendimit, Rektor i UP-së ka qenë Enver Hasani, ndërkaq avokati Tmava shpalosi para gjykatës Vendimin që ka shërbyer për krijimin e këtij Komisioni i cili ishte i datuar më korrik 2009, ndërkaq theksoi se në qershor 2009 Hasani ishte dekretuar nga Presidentja e Kosovës si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Dëshmitarja Hoxha tha se komisioni nuk e kishte përpiluar raportin që ka theksuar se përkthimi ka qenë i cilësisë së mirë, por atë vetëm e kishin nënshkruar në zyrën e Hakif Veliut sepse kanë qenë të bindur se cilësia ka qenë e mirë.

Seanca e ardhshme u caktua për datën 8 prill ku pritet që të deklarojë anëtarja tjetër e komisionit, Lindita Tahiri.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë