HAPET SHQYRTIMI FILLESTAR PËR ISH-KËSHILLTARIN E ASAMBLESË NË MITROVICË PËR MOS RAPORTIM TË PASURISË

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Albina Rama, kryetare e trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, ka hapur shqyrtimin fillestar për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit Rexhë Feka i akuzuar për veprën penale “mos raportim apo raportim i rreme i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjeter materiale ose i detyrimeve financiare”.

Prokurori i këtij rasti, Armend Hamiti, tha se i akuzuari Rexhë Feka pas përfundimit të mandatit si Këshilltar i Asamblesë Komunale në Mitrovicë nuk e ka deklaruar pasurinë fare edhe pse në të njëjtën kohë është njoftuar nga organet kompetente se një gjë të tillë duhet ta kishte bërë brenda afatit 30 ditor pas pushimit të mandatit.

Në fjalën e tij, i akuzuari Feka para kryetares së trupit gjykues Albina Rama ka deklaruar se ndihet i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet dhe ka kërkuar vazhdimin e procesit gjyqësor dhe dëgjimin e dëshmitarëve te propozuar nga ana e Prokurorisë.

Me kaq, ka përfunduar seanca e së hënës, ndërsa kryetarja e trupit gjykues, Albina Rama ka marrë vendim për mbajtjen e seancës së ardhshme të shqyrtimit kryesor me datë 29 mars ne ora 13:30.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë