GREVA E PUNONJËSVE TË PALLATIT TË DREJTËSISË, SHTYN GJYKIMIN NDAJ POLICËVE TË AKUZUAR PËR RYSHFET

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Seanca ndaj dy policëve të akuzuar për marrje ryshfeti, nuk u mbajt të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak të grevës së punonjësve të Pallatit të Drejtësisë. Kjo grevë u mbajt nga ora 13 deri në orën 15, për arsye të sistemit jo të mirë të ajrit në këtë objekt. Pikërisht në këtë kohë, ka qenë e paraparë të mbahet edhe shqyrtimi kryesor ndaj policëve Muhamet Hamiti dhe Afrim Maxhuni, të cilët ishin prezent në Pallatin e Drejtësisë, pa pasur dijeni për grevën. Kryetarja e trupit gjykues, Nora Bllaca, i njoftoj të akuzuarit dhe dëshmitarin, se të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendosura në objektin e Pallatit të Drejtësisë, e kanë ndërprerë punën tyre  për një javë, nga dy orë në ditë. Prandaj, dëgjimi i dëshmitarit për këtë rast do të bëhet më 20 maj 2016.

Në bazë të aktakuzës së ish-Prokurorisë Komunale në Prishtinë në atë kohë, dy policët e lartëpërmendur akuzohen se në tetor të vitit 2012 në Njësinë e Policisë Kufitare në Lluzhan, në bashkëveprim kanë pranuar ryshfet nga Osman Mehmeti. Ata kishin pranuar dy shuma, njërën prej 200 eurove dhe tjetrën prej 70 eurove, në mënyrë që të ja mundësojnë prerjen dhe transportin e kundërligjshëm të drunjëve dhe atë pa pasur fletëpërcjellje për transportin e tyre.

Në këtë aktakuzë ishin të përfshirë edhe 7 persona të tjerë, e për të cilët ka arritur afati i parashkrimit dhe janë liruar me aktgjykim refuzues. Policët dhe pyllëtarët e akuzuar ishin të përfshirë në aktakuzë për veprat penale shpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje ryshfeti.  Ndërkaq, për dy të akuzuarit, Muhamet Hamiti dhe Afrim Maxhuni, procedura është veçuar dhe pritet që të vazhdoj me dëgjimin e dëshmitarëve e shqyrtimin e provave.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë