Gjyqtarja ka kërkuar kohë shtesë për përpilimin e aktgjykimit ndaj të dënuarve për mashtrim, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi

Pallati i Drejtesise (3)
Author

Raporton: Egzon HALILI

Prill 2, 2020

Prishtinë – As pas më shumë se një muaj nga shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve për mashtrim, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, ende nuk është përpiluar aktgjykimi në formë të shkruar.

Kjo pasi që është kërkuar kohë shtesë për përpilimin e të njëjtit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 26 shkurt të këtij viti, Hashimi ishte dënuar me tre vjet e nëntë muaj burgim efektiv, ndërsa Rexhepi me tre vjet burgim efektiv.

Në kuadër të këtij dënimi, atyre u është llogaritur koha e kaluar në paraburgim, që nga 30 maji 2019 e deri më 26 shkurt 2020.

E kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, gjykatësja e rastit, Medie Bytyçi tha se ka kërkuar kohë shtesë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për përpilimin e aktgjykimit.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe mbrojtësit e Hashimit dhe Rexhepit, avokatët Admir Salihu dhe Asdren Saramati, të cilët kanë thënë se nuk e kanë pranuar aktgjykimin dhe se nuk ka ndonjë njoftim nga ana e gjykatës lidhur me këtë.

Lidhur me këtë, në nenin 369, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet periudha kohore gjatë së cilës duhet të përpilohet aktgjykimi.

“Aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga shpallja e tij, kur i akuzuari gjendet në paraburgim ose i është caktuar paraburgimi, ndërsa në raste të tjera brenda tridhet (30) ditëve nga dita e shpalljes. Kur rasti është i ndërlikuar, gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë nga presidenti i gjykatës që të zgjasë afatin për përpilimin me shkrim të aktgjykimit deri në gjashtëdhjetë (60) ditë.”, thuhen në nenin e lartpërmendur.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.

Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi