Gjyqtari kërkon përjashtimin e tij nga rasti ku BKS-ja kërkon mbi 13 mijë euro rimburësim për aksidentin e 2012-ës

Raporton: Hajrije Krasniqi

Malishevë-Për shkak se gjyqtari i çështjes Nehat Qelaj kishte marrë vendimin në divizionin e kundërvajtjes ndaj të paditurit Ibrahim Buqaj për aksidentin e vitit 2012, i njëjti ka kërkuar përjashtimin e tij nga lënda civile ku Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) po kërkon rimbursimin e dëmit.

Meqenëse gjyqtari Qelaj më herët kishte punuar gjyqtar i divizionit për kundërvajtje dhe kishte vendosur në rastin e të paditurit Buqaj, gjyqtari Qelaj tha se do të kërkojë nga kryetari i Gjykatës së Gjakovës përjashtimin e tij nga ky gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi’.

“Për aksidentin e shkaktuar nga i padituri  është marrë vendim me datën 30 prill 2013, nga unë si gjyqtar në atë kohë i kundërvajtjes, prandaj në kuptim të nenit 67, pika d, të LPK-së me qëllim të konstatimit të përjashtimit do të kërkohet përjashtimi im nga kjo çështje”, tha gjyqtari Qelaj.

Lidhur me përjashtimin përfaqësuesja e BKS-së, Orgeta Qerimi deklaroi se për palën paditëse nuk paraqet pengesë fakti që gjyqtari i çështjes ka vendosur në procedurë të kundërvajtjes, duke mos paraqitur kërkesë për përjashtim të gjyqtarit.

Ndërsa përfaqësuesi i paditësit avokati, Bekim Kryeziu deklaroi se lidhur me këto rrethana ia lë në vlerësim kryetarit të gjykatës.

Në këto rrethana, nga gjyqtari Qelaj procedimi i gjykimit është ndërprerë derisa të vendoset për përjashtimin e gjyqtarit nga kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Sipas padisë së ushtruar më 6 nëntor 2014, i padituri Ibrahim Buqaj, më 19 korrik 2012, ka shkaktuar aksident trafiku me ç’ rast me automjetin “VW-Passat”, të cilin ishte duke e vozitur ka goditur automjetin “Xhip Nissan”, pronë e Riza Smaka.

Në padi thuhet se pas kësaj, i dëmtuari Smaka ka bërë kërkesë për kompensim dëmi ndaj tani paditëses Byrosë Kosovare të Sigurimeve  dhe të dëmtuarit Smaka, në ujdi jashtë gjyqësore,  i është kompensuar shumën e përgjithshme prej 13,560.00 euro, e cila shumë i është paguar më 20 qershor 2013.

Me anë të kësaj padie, BKS-ja po kërkon nga gjykata që të detyrohet i padituri Buqaj, që asaj t’ia paguaj shumën prej 13,560.00 euro, në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar në aksident trafiku, dhe atë me kamat ligjore nga dita e ngritjes së padisë e deri në pagesën definitive si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë