Gjyqtari kërkon përjashtimin e tij nga lënda penale për ndërtim pa leje të mbetur në tentativë

GJTHPEJE (2)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Prill 7, 2021

Pejë – Të mërkurën, në Gjykatën e Pejës, gjyqtari i çështjes Ahmet Rexhaj, ka kërkuar përjashtimin e tij nga lënda penale për ndërtim pa leje të mbetur në tentativë, ndaj të akuzuarit Bekë Nikçi.

Sipas gjyqtarit Rexhaj, me të akuzuarin jetojnë në një lagje, janë fqinjë të afërm dhe për këtë arsye, nga Kryetari i Gjykatës së Pejës, do të kërkoi përjashtimin e tij nga kjo procedurë.

‘‘Me të pandehurin Bekë jemi komshinjë dhe atë në një distancë prej 30 metrave. Ashtu që duke parë parasysh dispozitat e kodit të procedurës penale, kam obligim që të kërkoj nga Kryetari i Gjykatës që të përjashtohem nga kjo lëndë, për shkak të rrethanave të sipër cekura,  andaj seanca e sotme nuk do të mbahet, nuk do të lëshohet në shqyrtim fillestar deri sa do të vendoset nga Kryetari i Gjykatës lidhur me përjashtimin eventual nga kjo çështje penale’’, tha gjyqtari Rexhaj.

Në këto rrethana, gjykimi u shty në kohë të pacaktuar, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ndryshe në seancë të pranishëm ishin, i akuzuari Bekë Nikçi dhe prokurori i shtetit Ersan Qavolli.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Pejës, i pandehuri Bekë Nikçi po akuzohet se me 9 korrik 2020, në fshatin Shtupeq i Madh, pjesë e Parkut Kombëtar ‘‘Bjeshkët e Nemuna’’, në cilësinë e pronarit, ka tentuar ta ndërtoj një objekt pa leje ndërtimi, ku me ligj kërkohet një leje e tillë dhe atë ndërtimin e një muri mbrojtës përgjatë sipërfaqes ku do të ndërtohen objekte kampingu.

Tutje thuhet se i akuzuari me datë 15 korrik 2019, aplikon për leje ndërtimi të objekteve të përkohshme për kamping veror dhe aktivitete të hotelerisë pranë MMPH-së dhe një kërkesë e tillë nga kjo e fundit është refuzuar, e më pas i akuzuari në datën kritikon fillon përgatitjen e terrenit për vendosjen e murrit mbrojtës, duke rrafshuar dheun dhe mbushur shtyllat e temelit me beton për çka punimet e tilla i ndërpriten nga Inspektorët e MMPH-së, me 9 korrik 2020.

Për këto veprime, Bekë Nikçi po akuzohet për veprën penale ‘‘Ndërtim pa leje’’ në tentativë, nga neni 359 par.4 lidhur me par.2 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi