GJYKOHET ZYRTARI DOGANOR PËR MARRJE TË RYSHFETIT

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të premtën, është mbajtur seanca gjyqësore, ndaj zyrtarit doganor Luan Sadiku, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjatë kësaj seance kanë dëshmuar dëshmitarët Liljan Aleksiq dhe Përparim Hyseni. Në pyetjen e prokurorit Rasim Maloku, dëshmitarja Liljana Aleksiq, tha se ajo qëndron në tërësi pranë deklaratës që ka dhënë në polici, pa ndryshime dhe plotësime. Ajo tha se më 13 maj 2013, kishte qenë në punë në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë dhe atë ditë kishte punuar me të akuzuarin Luan Sadiku. Tutje dëshmitarja tha se nuk i kujtohet se ka pasur diçka të pa zakonshme atë ditë. Personat që kalojnë kufirin dhe kanë mall, zakonisht duhet ta lajmërojnë mallin dhe sipas saj, ata e shikojnë mallin dhe vendosin nëse duhet duhet të paguajnë doganë. Ajo tha se palët kanë të drejtë të kalojnë mallin pa doganë deri në vlerën 175 euro. Tha se nuk i kujtohet pala konkrete nëse kishte plotësuar ndonjë dokument ditën kritike.

Në pyetjen e mbrojtësit, avokatit Sherif Sherifi, dëshmitarja tha se ajo në Doganën e Kosovës ka punuar prej 2 shkurtit 2004. Afër punës tha se e kanë policinë dhe se bashkëpunojnë ngushtë, por tha se zyret i kanë të ndara. Tutje dëshmitarja tha se nuk ka pasur rast të lajmëroi policinë, por ka dëgjuar se e kanë lajmëruar. “Unë nuk e kam parë, as nuk kam dëgjuar, as atë ditë, as herave të tjera që Luanit t’i ketë dhën dikush para”, tha ajo.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ka dëshmuar Përparim Hyseni, i cili tha se në ditën kritike kishte qenë duke punuar si doganier në pikën Doganore tek Dheu i Bardhë, pasi kishtë zëvendësuar një doganieri tjetër. Dëshmitari tha se në ditën kritike ka qenë Luan Sadiku, i cili e ka kontrolluar palën dhe ishte ndëgjuar një ngritje e zërit ku edhe ai e kishte dëgjuar. “Jam afru te Luani ku ai më tha se ka problem me këtë palë, e cila po e kundërshton kontrollin për mallin, i cili mall nuk kishte faturën”. Sipas dëshmitarit Hyseni, më pas ai e kishte kontrolluar mallin, i cili kishte qenë në veturë dhe sipas tij, malli nuk kishte qenë komercial. Pas kësaj, ai tha se pala e kishte nëshkruar deklaratën e udhëtarit të cilën ja kishte  plotësuar i akuzuari Luani.

Dëshmitari tha se ai nuk e ka parë se qytetari për të cilin po bëhet fjalë, t’i ketë dhënë Luanit para për këtë dhe për këtë tha se betohet.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, Islam Thaqi, dëshmitari tha se përveç tij kishin qenë edhe policët e kufirit, si dhe kishte pasur qarkullim të udhëtarve dhe veturave.

Ndërsa në pyetjen e anëtarit tjetër të trupit gjykues, Berat Spahiu, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se a kishte pasur kamer në këtë pikë doganore tek Dheu i Bardhë.

Seanca e së premtës është ndërprerë me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarve, ndërsa e njejta  do të vazhdojë më 18 prill 2016,në ora 9:00.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ku i akuzuari Luan Sadiku ngarkohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar. Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Sadiku më 13 maj 2013, në pikën kufitare Dheu i Bardhë në cilësinë e personit zyrtar doganor ka kërkuar dhuratë në mënyre që të mos kryej një veprim zyrtar, të cilin duhet ta kryente në atë mënyrë që pas kontrollës së veturës së të dëmtuarit Gazmend Ismaijli, i cili kishte në bagazhin e veturës 200 metra gypa në vlerë prej 100 eurove, për të cilin vlerë nuk paguhet taksa doganore, mirëpo i akuzuari për të fituar dobi pasurore në mënyrë të kundëligjshme, e kishte ftuar të dëmtarin që të hynte brenda në kontejner e pastaj i kishte kërkuar atij dhuratë, duke  i thënë se do ta lironte poqëse ua qet një kafe apo diçka tjetër. I dëmtuari i kishte nxjerr 20 euro dhe i kishte vendosir në një sirtarë sipas kërkesës së të akuzuarit dhe të nesërmen e kishte lajmëruar rastin në polici.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë