GJYKOHET POLICI GJILANAS PËR KORRUPSION

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të premten, është mbajtur seanca gjyqësore, ndaj zyrtarit policor Agron Azemi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjatë kësaj seance kanë dëshmuar dëshmitarët Flamur Ibrahimi, Besnik Ibrahimi, Fisnik Ibrahimi dhe Fehmi Bucaliu, të cilët u përgjigjën në shumë pyetje të prokurorit, avokatit mbrojtës të të akuzuarit dhe anëtarëve të trupit gjykues.

Në pyetjen e prokurorit Agron Uka, rreth njohjes së dëshmitarit me të akuzuarin Agron Azemi, dëshmitari Flamur Ibrahimi tha se të akuzuarin nuk e ka njohur, deri më 15 korrik 2015, kur i akuzuari kishte shkuar në lokalin e dëshmitarit dhe i kishte ofruar për t’i shitur një telefon mobil. Tutje dëshmitari tha se meqë ai nuk i kishte blerë telefonin, ai i kishte kërkuar 150 euro dhe ia kishte lënë telefonin e tij, me kushtin që deri pasdite do të ia kthente paratë. “Pas dy orësh është kthyer dhe më ka thënë se vëllai i kishte pësuar aksident në Prishtinë, e po i duhej telefoni për të kontaktuar me të, ndërsa si garanci më la ID-në e policisë dhe tha se gruaja e tij do t’i sjellë paratë dhe e merr ID-në”, tha dëshmitari Ibrahimi. Në pyetjen e prokurorit, nëse dëshmitari i kishte kërkuar paratë nga i akuzuari dhe si e kishte lajmëruar rastin në polici, dëshmitari tha se disa herë e kishte telefonuar të akuzuarin në telefon, ndërsa pas një jave e kishte lajmëruar rastin në polici, të cilët i kishin ndalur ID-në e policisë. “Para dy muajve, i akuzuari ka qenë në lokalin tim dhe më ka thënë se do të mi jap 100 euro, ndërsa më vonë do të mi jap edhe 50 eurot tjera”, shtoi dëshmitari Ibrahimi.

Në pyetjen e të akuzuarit, nëse i kishte premtuar ndonjë favor në polici, me kushtin që t’ia ipte 150 euro, dëshmitari tha se në asnjë rast, i akuzuari nuk i kishte kërkuar ato para, me kushtin që t’i kryente ndonjë favor apo shërbim në polici.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ka dëshmuar Besnik Ibrahimi, i cili tha se të akuzuarin nuk e kishte njohur, deri më 16 korrik 2015, kur i akuzuari kishte shkuar në lokalin e tij me një telefon dhe e kishte pyetur për vlerën e atij telefoni. Më tej dëshmitari tha se i akuzuari, i kishte kërkuar atij t’ia huazonte 120 euro dhe i kishtë lënë telefonin e tij, duke i thënë se po shkonte të merrte një kredi dhe do t’ia kthente paratë. “Pas 15 u kthye sërish dhe ma kërkoi telefonin, duke më thënë se po shkon te një shok në Viti për t’ia marr parat dhe të mi sillte mua”, tha dëshmitari Ibrahimi. Në pyetjen e prokurorit, Agron Uka, nëse kishte tentuar të kontaktonte me të akuzuarin për t’ia kërkuar paratë, dëshmitari tha se vazhdimisht e kishte thirrur në telefon, por i akuzuari i kishte shkruar vetëm një mesazh, duke i thënë se do t’ia sillte paratë. Dëshmitari tha pas një jave e kishte raportuar në polcii, duke menduar se meqë ishte polic, do t’ia kthente paratë më shpejt.

Dëshmitari i tretë ishte Fisnik Ibrahimi, i cili tha se të akuzuarin e kishte njohur vetëm si myshteri në lokalin ku punonte. Dëshmitari tha se më 14 korrik 2015, i akuzuari kishte ardhur në lokal me një sim kartelë dhe kishte kërkuar të blente një telefon mobil, por që pagesën ta kryente me këste”. Tutje dëshimtari tha se ia kishte refuzuar pagesën me këste, por që i akuzuari ikishte thënë se do të shkojë në bankë për t’i tërhequr paratë, por që për rreth 40 minuta kishte qëndruar në lokal dhe nuk kishte shkuar në bankë për t’i marr paratë. Dëshmitari tha se i akuzuari i kishte thënë se është pjestar i Policisë së Kosovës dhe mund të ketë besim tek ai dhe kjo e kishte shtyrë atë që t’ia japë telefonin pa e paguar fare. I pyetur nga prokurori nëse e kishte kontaktuar të akuzuarin, për t’ia kërkuar paratë, dëshmitari tha se të njëjtën ditë nuk i kishte telefonuar, ndërsa të nesërmen dhe katër ditë rresht i kishte telefonuar, i kishte shkruar edhe mesazhe, por i akuzuari i kishte kthyer vetëm një mesazh duke i thënë se do t’ia sjellë paratë. “Pas një jave e kam lexuar në internet se është arrestuar polici Agron Azemi për keqpërdorim, pastaj e kam raportuar rastin në Policinë e Gjilanit dhe në Inspektoratin Policor të Kosovës”, tha dëshmitari Ibrahimi.

Seanca e së premtes është ndërprerë me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarëve, ndërsa e njëjta do të vazhdojë më 25 mars 2016, në ora 13:15.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ku i akuzuari Agron Azemi ngarkohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas pretendimit të prokurorisë,i akuzuari Azemi, më 15 korrik 2015, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, me dashje kishte hyrë në lokalin “Phonebok”, pronë e të dëmtuarit Flamur Ibrahimi ku ishte prezentuar si zyrtar policor dhe të njëjtin e kishte vënë në lajthitje dhe i kishte marrë shumën prej 150.00 eurove. Ndërsa, më një ditë më vonë, kishte hyrë në lokalin “Phonebok 2”, pronë e të dëmtuarit Besnik Ibrahimi ku është prezentuar si zyrtar policor dhe të njëjtin e kishte vënë në lajthitje dhe i kishte marrë shumën prej 120.00 eurove. Gjithashtu, më 14 korrik 2015 i akuzuari kishte hyrë në lokalin “T-Mobile Niki”, pronë e të dëmtuarit Fisnik Ibrahimi ku ishte prezentuar si zyrtar policor dhe të njëjtin e ka vënë në lajthitje, duke i marrë një telefon në vlerë prej 170.00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë