GJYKOHET POLICI FARI MURATI PËR MARRJE TË RYSHFETIT DHE BURBUQE RAMAJLI QË PREZANTOHEJ RREJSHËM SI GJYKATËSE

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të premten, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj zyrtarit policor Fari Murati, i akuzuar për marrje të ryshfetit dhe Burbuqe Ramajli, e akuzuar për prezantim të rremë si person zyrtar.

Gjatë kësaj seance, prokurori Shukri Jashari, në fjalën hyrëse tha se gjatë seancave gjyqësore do të prezantohen prova dhe do të ftohet për tu dëgjuar i dëmtuari Zjadin Berisha, e akuzuara Burbuqe Ramajli dhe dëshmitarët Samedin Berisha, Sabedin Lika dhe Lavdim Emerllahu.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fari Murati, avokati Besnik Jakupi dhe mbrojtësi i të akuzuarës Burbuqe Ramajli, avokati Kadri Syla, e kanë kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj si të pa bazuar në ligj dhe të paargumentuar.

Në këtë seancë ka dëshmuar i dëmtuari Zjadin Berisha, i cili tha se ‘është e vërtetë se kishte dhënë deklaratë në Inspektoratin e Policisë në Ferizaj më datën 25 shtator 2015 dhe kishte dhënë deklaratë  edhe në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe se mbetet pranë deklaratës së dhënë në prokurori’.

I dëmtuari Berisha, tha se më 23 shtator 2015 në shtëpinë e tij ishte kërkuar nga policia me pretekstin e kontrollit rreth respektimit të arrestit shtëpiak, pasi që ai ishte i dënuar për një vepër tjetër penale. “Me rastin e kësaj kontrolle policore, isha në tualet në oborr, ndërsa nëna ime u është përgjigjur se unë nuk isha në shtëpi, pra duke mos e ditur vendndodhjen time, ajo iu thotë se kemi një rast vdekje dhe është e mundur se mund të jetë te shtëpia ku bëhej pritja për ngushëllime, që gjendej afër 200 metra largësi, ku vëllai im Sabedin Berisha i kishte shoqëruar”, tha Berisha. Sipas tij, në momentin kur e kishte kuptuar nëna e tij se ishte kërkuar nga policia, kishte shkuar dhe e kishte takuar policin pa uniformë Fari Murati, i cili iu kishte drejtuar atij duke i thënë se nuk e kishte respektuar arrestin shtëpiak, dhe se kishin shkuar për ta verifikuar atë. “Ju thashë se isha në shtëpi, por nëna ime nuk e ka ditur se unë isha në tualetin e oborrit, dhe ky mund të jetë një keqkuptim”, tha Berisha.

Tutje, i akuzuari Fari Murati i është drejtuar se duhej bërë raport zyrtar për mosrespektim të arrestit shtëpiak. “Pastaj më kanë kërkuar të futem në veturë dhe mos të qëndroj aty ku kishte edhe dy njerëz të tjerë të cilët nuk i kam njohur. Në veturë ishte një femër që më është prezantuar si gjyqtare. Pasi që jemi larguar jashtë fshatit, Fariu më ka kërkuar që të dilja nga vetura, dhe më ka thënë se t’i e din që e ke shkelur masën e arrestit, dhe kjo do të kishte me pasojë shkuarjen direkte në paraburgim, por gjyqtarja merr ryshfet dhe mund ta rregullojmë këtë punë disi, por duhet të paguash, dhe më pyeti se si i kisha punët financiarisht”, thotë dëshmitari Berisha. Sipas tij, Fariu ishte futur në veturë dhe kishte biseduar me Burbuqen, dhe pas dy – tre minutash kishte dalur dhe i kishtë thënë atij se gjykatësja po ia kërkon 1500 euro. “Ju thash se ishte Nata e Bajramit, dhe nuk kam para por më duhet të kërkoj hua tek një shok i imi Sabedin Lika, por nuk kam kredi në telefon për ta telefonuar”.  Pas kësaj, Fariu ia kishte dhënë atij telefonin që ta thërriste Sabedinin për t’ia kërkuar paratë. “Më tha se nuk kishte më tepër se 400 euro por më tha që duhet vet të shkoj për t’i marrë në Strazhë. Kështu e negociuam shumën dhe ai u pajtua që të shkonim dhe t’i merrnim paratë tek shoku im Sabedin Lika në Strazhë, dhe kemi vazhduar me veturën e tyre civile në drejtim të Strazhës, ku kemi arritur në ora 21:30”.

Dëshmitari Berisha, tha se paratë që kishte mareë nga Sabedini, kishin qenë tetë monedha nga 50 euro, të cilat ia kishtë dhënë Fariut në dorë, jashtë veturës. “Me këtë rast ata më kanë dhënë një dokument për t’a nënshkruar, gjoja si dëshmi se e kisha respektuar masën e arrestit shtëpiak”.

Në pyetjen e avokatit Besnik Berisha, i dëmtuari deklaron: ‘Deklaratën të cilën e kam dhënë në Prokurori e mbështes në tërësi, me që në atë rast edhe kam qenë më i freskët.

Në pyetjen e të akuzuarës Burbuqe Ramajli, nëse ajo i ishte paraqitur si gjyqtare, i dëmtuari i është përgjigjur se ‘po kjo është e vërtetë, se ajo i ka thënë se ishte gjyqtare’.

Kryetarja e trupit gjykues Emine Salihu, në pyetjen se a kërkon ndjekje penale ndaj të akuzuarve, i dëmtuari thotë se nuk i bashkëngjitej ndjekjes penale, por vetëm kërkoj që të më kthehen paratë në shumë prej 400 eurosh.

Sipas  aktakuzës së prokurorit, Shukri Jashari, Fari Murati akuzohet se më datën 23 shtator 2015, si policë në Stacionin Policor në Han të Elezit, ka kërkuar përfitim pasuror, dhe atë një shumë parash në vlerë prej 400 euro nga i dëmtuari Zjadin Berisha, i cili ishte nën masën e arrestit shtëpiak për vepër penale të terrorizmit, sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në atë mënyrë që duke mos vepruar sipas detyrës zyrtare, ka shkuar në fshatin Gorancë, pa pasur autorizim për të verifikuar se a po i përmbahet masës së arrestit shtëpiak, dhe nga i dëmtuari ka kërkuar para me qëllim që të mos përpilojë raport për mosrespektim të masës së arrestit shtëpiak, ku i dëmtuari nga frika ia jep 400 euro.

Gjithashtu edhe Burbuqe Ramajli, me datën 23 shtator 2015, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore është prezantuar rrejshëm si gjyqtare, në atë mënyrë që së bashku me të pandehurin e parë kanë shkuar te shtëpia e të dëmtuarit, ku e pandehura i thitë se a i dinte rregullat se nuk guxon të dalësh as prej oborrit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë