Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën, u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj Ramadan Pajazitit , i cili akuzohet për veprën penale “rrezik i trafikut publik”. I akuzuari në këtë shqyrtim nuk e pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohet.
I akuzuari Pajaziti, lidhur me veprën penale që akuzohet deklaroi se nuk është fajtor si dhe e kundërshtoi akuzën e ushtruar ndaj tij nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 9 tetor 2015.
Ndërkaq shqyrtimi i rradhës u caktua pas 30 ditëve pasi që i akuzuari, u udhëzua që t’i paraqes kundërshtimet e tij sa i përket akuzës në fjalë.
Sipas aktkauzës, i pandehuri Ramadan Pajaziti akuzohet se më 11 maj 2014 rreth orës 11:00 në fshatin Mirosalë – Ferizaj, përkatësisht në rugën lokale të këtij fshati duke drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia ka vënë në rrezik jetën e njerëzve në atë mënyrë që nuk ka mundur t’ia përshtat shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, rrugë me kthesa dhe gjatë lëvizjes nga drejtimi i fshatit Rahovicë në drejtim të fshatit Mirosalë gjatë hyrjes në kthesë kalon në shirtin e kundërt të lëvizjes dhe me pjesën e përparme godet një automjet tjetër, i drejtuar nga Bekim Krasniqi e që në momentin e goditjes përveq dëmeve materiale, vozitësit të automjetit Krasniqi i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.