GJYKOHET PËR KORRUPSION ISH-PUNËTORI I PTK-së

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj ish-punëtorit të PTK-së, i akuzuar për korrupsion Bexhet Salihu. Nga seanca e kaluar, me kërkesë të mbrojtjes ishte shtyer shqyrtimi gjyqësor, me qëllim të plotësimit të ekspertizës, ku i akuzuari dhe eksperti është dashur të shkojnë në PTK për analizimin e dokumenteve shtesë. Për këtë seancë ishte paraparë të vazhdoi ndëgjimi i ekspertit financiar Rizah Blakaj dhe dhënia e mbrojtjes nga i akuzuari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bexhet Salihu, avokati Qerim Metaj tha se nuk ka pyetje të reja për ekspertin, por qëndron prapa pyetjeve të parashtruara në seancën e kaluar.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues Faik Hoxha, nëse eksperti e ka plotësuar ekspertizën e tij, ashtu siç ishte marr aktvendim në seancën e kaluar, eksperti financiar Rizah Blakaj tha se i akuzuari nuk i ishte lajmëruar asnjëherë, nuk e kishte telefonuar dhe as nuk kishte shkuar në zyrën e tij, ashtu siç ishin dakorduar në seancë dhe si pasojë nuk ka mundur ta plotësoi ekspertizën. Nga ana tjetër, i akuzuari Bexhet Salihu, tha se disa herë i kishte telefonuar ekspertit, por nuk ishte lajmëruar dhe nuk kanë mundur të takohen.

I akuzuari propozon ndëgjimin e disa dëshmitarëve, por trupi gjykues me aktvendim i refuzon propozimin e ndëgjimit të atyre dëshmitarëve.

Në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, seanca vazhdon me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari. Në pyetjen e avokatit mbrojtës Qerim Metaj për përvojën e punës në PTK, i akuzuari tha se në PTK ka punuar që nga data 3 mars 2003, deri në prill 2013. “Në tetor 2012, vajza ime 14 vjeçare, ka pasur probleme të mëdha shëndetësore dhe më janë nevoitur me urgjencë 16.000,00 euro për shërimin e saj jashtë vendit. Atëherë, nga pika postare ku kam punuar, i kam marr 16.000,00 euro” tha i akuzuari Salihu. Tutje, në mbrojtjen e vet, i akuzuari tha se duke ditur që PTK më kishte borxh diferencën e pagave për periudhën 2004-2012, në shumën prej rreth 30.000,00 eurove dhe që isha në proces gjyqësor kundër PTK-së, kam qenë i bindur se në rastin kur do t’i marr parat nga procesi gjyqësor, shumën prej 16.000,00 euro do ta ktheja menjëherë në PTK.

Në pyetjen e prokurores Fikrije Fejzullahu, se si mendon i akuzuari t’a bëjë barazimin me PTK-në, i akuzuari tha se atë do ta bëjë përmes llogarisë së tij bankare, në momentin e parë që do t’i marr ato para.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Faik Hoxha, nëse ka qenë i vetëdijshëm se ka përgjegjësi për parat e pazarit ditor, i akuzuari tha se ka qenë i vetëdijshëm, por ka qenë i obliguar të veproi me nguti, sepse vajza e tij ka qenë në mes jetës dhe vdekjes.

I akuzuari Bexhet Salihu, para trupit gjykues u deklarua se ndihet fajtor për shumën prej 16.543,30 euro, duke shtuar se ndihet në obligim për t’ia kthyer ato para PTK-së. Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktuar për datën 7 mars 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë