GJYKOHET NAIM KRASNIQI, I AKUZUAR PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS RRETH SERVISIMIT TË VETURAVE TË BURGJEVE

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premtën, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Naim Krasniqi, zyrtar i transportit në Shërbimin Korrektues të Kosovës, nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2014 nga prokurorja Merrushe Llugiqi, Naim Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore për operatorin ekonomik “Renalt Center Muqiqi”.

I akuzuari Krasniqi, si menaxher i kontratës së lidhur ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe operatorit ekonomik “Renalt Center Muqiqi”, nuk e ka kryer ekzekutimin e sigurisë së kontratës për servisim të automjeteve dhe nga i njëjti operator ekonomik nuk ka kërkuar që t’iu përmbahet obligimeve të tij kontraktore, që shërbimet dhe furnizimet të bëhen në çmime më të volitshme ashtu siç janë paraparë në kontratë, në të cilën kontratë operatori ekonomik obligohet që të mbajë në stoqe sasi të mjaftueshme të pjesëve rezervë të automjeteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Aktakuza thekson se i akuzuari Krasniqi ka aplikuar çmime më të larta për shërbimet e ofruara nga operatori ekonomik dhe kjo diferencë në çmime në mes të riparimeve të faturuara nga çmimet e parapara në kontratë, Shërbimit Korrektues të Kosovës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 1,440.50 eurove.

Në senacën e së premtës, gjykatësja e kësaj çështje Shadije Gërguri, e ka ballafaquar të akuzuarin Krasniqi me deklaratën e dhënë në prokurori dhe me deklaratën e dhënë në seancën gjyqësore para trupit gjykues, ku në kontratat e lidhura ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe operatorit ekonomik” Renault Center Muqiqi”, çmimet e precizuar janë të ndryshme.

Gjykatësja Gërguri tha se i akuzuari në prokurori ka deklararuar se për kontratën e parë të datës 18 gusht 2011 çmimi ka qenë 1 euro për kilometrazh, ndërsa në kontaratën e  dytë të datës 15 maj 2012, çmimi i precizuar ka qenë 3,5 euro, ndërsa në shqyrtimin gjyqësor i akuzuari Krasniqi deklarohet se çmimi i precizuar i kontratës së dytë  është 3 euro për kilometrazh. I akuzuari Krasniqi deklaroi se në kohën kur ka jep deklaratë në prokurori nuk i ka poseduar kontratat dhe për këtë arsye edhe nuk e ka treguar çmimin e saktë të kontraktuar, andaj në seancë ka deklaruar se mbetët pranë deklaratës së dhënë para trupit gjykues në seancën e së premtës (sotme).

Prokurorja Merrushe Llugiqi  tha se i akuzuari Krasniqi, si menaxher për ekzekutimin e atyre kontratave  ka qenë në dijeni se operatori ekonomik në fjalë ua ka dorëzuar faturën për një pjesë të riparuar të veturës tetëdhjetë euro,ndërsa çmimi për blerjen e së njëjtës pjesë është vetëm nëntë euro. Krasniqi tha para trupit gjykues se për blerjen e një pjesë të re duhet më shumë se dy ditë e për shkak të urgjencave në Shërbimin Korrektues dhe mungesës së këtyre pjesëve në stoqe të operatorit ekonomik “Renalt Center Muqiqi” janë detyruar që këtë pjesë ta riparojnë, dhe kjo sipas tiij nuk ka qenë punë e tij, por e vet operatorit ekonomik.

Në pyetjen nga anëtari i trupit gjykues Beqir Kalludra se ku i ka dorëzuar faturat, Krasniqi përgjigjet se të gjitha faturat ua kishte dorëzuar me shkresë përcjellëse zëvendës drejtorëve të përgjithshëm në Shërbimit Korrektues, Shemsi Hajrizit dhe Sokol Zogajt,që kanë qenë edhe eprorë të tij dhe të njëjtit i kanë thënë se vetëm duhet t’iu përmbahet kontratave e jo të precizohet çmimi.

Krasniqi para trupit gjykues deklaroi se gjatë kohës sa i ka menaxhuar ato kontrata asnjëherë nuk ka dal jashtë pëmbajtjes së tyre dhe çdo faturë ka qenë në pajtim me to, përveç disa rasteve që edhe vet i ka vërejtur dhe i ka paraqitur si të dyshimta.

Trupit gjykues me propozim të  anëtares së trupit gjykues, Albina Rama dhe Shefqet Hasimit-zyrtar i lartë ligjor në Avokaturën e Shtetit, i njëjti përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Shërbimit Korrektues të Kosovës si palë e dëmtuar marrin aktvendim që në seancën e ardhshme të ftohen të dëshmojnë dy zëvendës drejtorët e Shërbimit Korrektues, Shemsi Hajrizi dhe Sokol Zogaj. Seanca e ardhshme u caktua për 18 prill 2016, në ora 13:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë